Kaos pas evakuimit nga anija me hantavirus: Amerikani rezulton pozitiv, francezi shfaq simptoma në aeroplan





Një pasagjer amerikan i evakuuar nga anija kruzere “MV Hondius” ka rezultuar pozitiv me hantavirus, ndërsa një shtetas francez ka shfaqur simptoma gjatë një fluturimi të veçantë. Autoritetet shëndetësore amerikane njoftuan se një nga 17 pasagjerët amerikanë është pozitiv me virusin, por deri më tani nuk ka shfaqur asnjë simptomë. Paraprakisht, një nga pesë pasagjerët francezë shfaqi simptoma gjatë fluturimit për në shtëpi, pas së cilës pasagjerët e tjerë u vendosën në izolim të rreptë deri në kontrolle të mëtejshme. Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, deklaroi se edhe katër pasagjerë të tjerë do të testohen së shpejti.

Ministria e Jashtme japoneze njoftoi se një shtetas japonez ka mbërritur në Britaninë e Madhe me një fluturim “charter” të organizuar nga qeveria britanike dhe do të qëndrojë nën mbikëqyrjen shëndetësore të autoriteteve britanike deri në 45 ditë. Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë njoftuar se pasagjerët fillimisht do të hospitalizohen për 72 orë në karantinë, e cila do të pasohet nga gjashtë javë vetëizolim. Sipas Ministrisë së Jashtme holandeze, në mesin e 26 pasagjerëve të anijes kishte tetë shtetas holandezë, si dhe pasagjerë nga India, Gjermania, Argjentina, Belgjika, Greqia, Portugalia, Ukraina, Guatemala, Filipinet dhe Mali i Zi.

Deri më tani, nga kjo epidemi kanë humbur jetën tre persona, ndërsa pesë pasagjerë që ishin larguar më parë nga anija u konfirmuan si të infektuar. Hantavirusi zakonisht transmetohet përmes kontaktit me urinën ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar, por në raste të rralla mund të transmetohet edhe midis njerëzve. Simptomat zakonisht shfaqen midis një dhe tetë javësh pas ekspozimit ndaj virusit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo