Shkencëtarët kanë zbuluar mekanizmin përmes të cilit një bakter i zakonshëm në zorrë mund të nxisë zhvillimin e kancerit të kolonit, një gjetje që mund të hapë rrugën për metoda më të hershme zbulimi dhe trajtime parandaluese.
Bëhet fjalë për bakterin Bacteroides fragilis, i cili prej vitesh është lidhur me inflamacionin e zorrëve dhe formimin e tumoreve. Një studim i rëndësishëm i vitit 2009 kishte treguar se ky bakter prodhon një toksinë që dëmton shtresën mbrojtëse të kolonit, duke rritur mundësinë për zhvillimin e kancerit. Megjithatë, deri tani nuk dihej saktësisht si ndodhte ky proces.
Sipas një ekipi studiuesish në Shtetet e Bashkuara, toksina e bakterit duhet fillimisht të lidhet me një receptor në qelizat e trupit, të quajtur claudin-4, përpara se të shkaktojë dëmtim.
“Prej kohësh kemi bërë përpjekje për të identifikuar receptorin, ndaj ky është një moment shumë i rëndësishëm”, u shpreh profesoresha Cynthia Sears nga Johns Hopkins University School of Medicine, autore kryesore e studimit.
Ajo shtoi se të kuptuarit e mënyrës se si veprojnë toksinat bakteriale mund të ndihmojë në zhvillimin e qasjeve të reja për zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve të lidhura me to, përfshirë diarrenë, kancerin kolorektal dhe infeksionet e gjakut.
Zbulimi ka çuar tashmë në një ndërhyrje eksperimentale që ka arritur të bllokojë efektet e toksinës te modelet shtazore. Studiuesit tani synojnë të kuptojnë nëse e njëjta qasje mund të funksionojë edhe te njerëzit.
Bakteri Bacteroides fragilis gjendet te rreth 20 për qind e individëve të shëndetshëm, por në disa raste mund të shkaktojë inflamacion kronik në zorrë dhe të nxisë rritjen e tumoreve.
Kanceri kolorektal mbetet një nga sëmundjet më shqetësuese, ndërsa rastet tek personat nën 50 vjeç po rriten në mënyrë të ndjeshme. Shkaqet e kësaj rritjeje nuk janë ende plotësisht të qarta, por ekspertët përmendin si faktorë të mundshëm ushqyerjen e dobët, obezitetin, ekspozimin ndaj mikroplastikës dhe ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve.
Studimi, i publikuar në revistën “Nature”, analizoi mijëra gjene për të kuptuar se cilët prej tyre ndikojnë në zhvillimin e kancerit. Pas përjashtimit të shumë mundësive, studiuesit identifikuan receptorin claudin-4 si hallkën kryesore që i lejon toksinës të lidhet me qelizat e kolonit.
Kur ky receptor u bllokua në eksperimente laboratorike, bakteri nuk arriti të dëmtonte shtresën mbrojtëse të kolonit. Më pas, shkencëtarët krijuan një proteinë “imituese” të claudin-4, e cila veproi si karrem për toksinën. Në testet me minj, toksina u lidh me këtë proteinë të rreme në vend të qelizave reale, duke mbrojtur indin e zorrëve nga dëmtimi.
Këto rezultate konsiderohen premtuese, por studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për të parë nëse metoda mund të përshtatet për përdorim te njerëzit.
Zbulimi vjen në një kohë kur ekspertët po përpiqen të kuptojnë pse kanceri i zorrëve po shfaqet gjithnjë e më shpesh te të rinjtë. Disa studiues britanikë kanë theksuar së fundmi se obeziteti mund të jetë një nga faktorët kryesorë të kësaj rritjeje, ndërsa ruajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në parandalimin e një pjese të rasteve.
Megjithatë, shkencëtarët po i kushtojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe edhe ekuilibrit të baktereve në zorrë. Përdorimi më i shpeshtë i antibiotikëve, dietat e pasura me ushqime ultra të përpunuara dhe ndryshimet në stilin e jetesës mund ta bëjnë mikrobiomën më të ndjeshme ndaj baktereve inflamatore, duke rritur potencialisht rrezikun për kancer me shfaqje të hershme.