Mexhiti: VLEN nuk i ndau shqiptarët, por i bashkoi





Sot VLEN-i është bërë forca kryesore në hartën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Sepse VLEN-i nuk i ndau shqiptarët, por i bashkoi. Nuk e shpërndau fuqinë politike shqiptare, por e përqendroi atë. Nuk e dobësoi zërin shqiptar, por e faktorizoi atë.

Këtë e tha mes tjerash, njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti gjatë fjalimit të tij të sotëm në Kongresin e mbajtur në Shkup.

“Për herë të parë pas shumë vitesh shqiptarët po e ndiejnë se pesha e votës së tyre po kthehet në peshë të vërtetë politike. Në përfaqësim të vërtetë. Në forcë vendimmarrëse. Dhe, kjo është arsyeja pse ky bashkim ka rëndësi historike. E sot ky rrugëtim po hyn në një fazë të re. Nga një bashkim forcash, në një trup të vetëm politik. Nga një koalicion, në një parti të vetme”, ka thënë Mexhiti, duke shtuar se ky është momenti kur bashkimi fiton peshë të re dhe kur kthehet në strukturë, përgjegjësi e vazhdimësi.

“Sepse bashkimi i vërtetë nuk matet vetëm kur fillon, por kur konsolidohet. Kur merr formë. Kur bëhet strukturë. Kur bëhet përgjegjësi. Vendimi për të ecur si një parti e vetme është dëshmi se kjo lëvizje nuk është e përkohshme. Se nuk është ndërtuar për një cikël zgjedhor, por për një epokë të re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mes tjerash Mexhiti.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo