Dr. Trajkovska: Një dhurues organesh mund të shpëtojë deri në tetë jetë dhe t’u japë shpresë shumë të tjerëve





Në kuadër të fushatës së gjerë për promovimin e dhurimit të organeve, e cila realizohet nën moton “Dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë njerëzimit!”, dr. Marina Trajkovska, anesteziologe në SPQ “8 Shtatori”, apelon që çdo qytetar të bisedojë me familjen e tij për vendimin që të jetë dhurues organesh. Me zgjedhjen për të qenë dhurues, qytetari zgjedh t’i dhurojë dikujt jetë.
“Imagjino që jeta e dikujt varet nga një vendim që mund ta marrësh sot. Një dhurues organesh mund të shpëtojë deri në tetë jetë dhe t’u japë shpresë shumë të tjerëve. Në këtë moment, dikush po pret një telefonatë. Fëmija, prindi apo i afërmi i dikujt. Ti mund të jesh ajo shpresë. Me një vendim lë një trashëgimi që vazhdon të jetojë”, porosit dr. Trajkovska.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, kujton se është në proces ndryshimi i Ligjit për dhurimin e organeve, me qëllim zgjerimin e rrethit të personave që mund të jenë dhurues të gjallë organesh, lehtësimin dhe ndryshimin e procedurave administrative dhe mundësimin që çdo qytetar, me deklaratë te mjeku i familjes, të përcaktohet si dhurues potencial i organeve pas vdekjes. Ky është edhe një hap tjetër drejt rritjes së vetëdijes publike për rëndësinë e dhurimit të organeve, si akti më i lartë i humanizmit me të cilin shpëtohen jetë njerëzish.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo