Detaje të reja kanë dalë në rastin e A.Rr., rreth 32-vjeçar, i cili ndodhet në ndalim për dhunë në familje, pasi Policia ka zbuluar edhe një armë që dyshohet se mbahej ilegalisht, mëson media nga burime të afërta me hetimin.
Sipas informatave, më 8 maj 2026 rreth orës 11:05, Stacioni Policor në Lipjan ka pranuar informacion nga Policia e Rahovecit se i dyshuari, i arrestuar më herët për dhunë në familje, posedonte armë zjarri.
Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 11:35, hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë shkuar në fshatin Shalë të Lipjanit, ku kanë kontaktuar me babanë e të dyshuarit.
Sipas burimeve, arma është gjetur pasi vetë A.Rr., kishte treguar se ku ndodhej.
Në vendngjarje është sekuestruar një armë me gaz e tipit “Ecol Special 99”, një karikator, dhe 41 fishekë me gaz.
Media mëson se pjesa e numrit serik të armës dyshohet se ishte e fshirë.
Pas konsultimit me Prokurorin, ndaj të dyshuarit është iniciuar edhe rast i ri penal për: “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës”.
I njëjti pritet të intervistohet nga hetuesit e Rahovecit në prezencë të avokatit mbrojtës, pasi aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh për rastin e dhunës në familje.