ASH e Selës: Mickoski po synon të zhbëjë të drejtat e shqiptarëve, e ardhmja do të jetë si e kaluara jonë
Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë se synon të zhbëjë të drejtat e fituara të shqiptarëve në vend.
Në një komunikatë, partia e Selës vlerëson se e kaluara politike e Ziadin Selës është e lidhur ngushtë me, siç thuhet, “rrëzimin e regjimeve, avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit”, duke shtuar se kjo mbetet edhe vizioni për të ardhmen.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, Mickoski “pranoi” se mekanizmat si Badenteri, gjuha shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i konsideron pjesë të së kaluarës, ndërsa akuzohet se po punon që ato të mos ekzistojnë në të ardhmen.
“Mickoski e pranoi sot se Badenteri, Gjuha Shqipe dhe të drejtat e tjera të shqiptarëve i takojnë të kaluarës dhe se sot e për të ardhmen ai punon të mos ekzistojnë”, thuhet në reagimin e partisë.
ASH thekson se periudha kur u miratua Ligji për Gjuhën Shqipe, kur sipas tyre respektohej mekanizmi i Badenterit dhe kur Gjykata Kushtetuese nuk prekte çështjet që lidhen me gjuhën shqipe, përfaqësohet politikisht nga Ziadin Sela.
Nga kjo parti shprehen krenarë për arritjet që i atribuojnë periudhës së tyre politike, duke përmendur Ligjin për Gjuhën Shqipe, Ligjin për Shtetësi, zgjedhjen e kryeparlamentarit të parë shqiptar dhe anëtarësimin e vendit në NATO.
“Ndihemi krenarë për të kaluarën tonë me suksese dhe arritje për shqiptarët dhe ua bëjmë me dije se edhe e ardhmja do të jetë e tillë. Ziadin Sela është këtu dhe do të jetë edhe më i fuqishëm bashkë me shqiptarët”, thuhet më tej në komunikatë.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët krahason situatën aktuale politike me periudhën e mëparshme të qeverisjes së Nikola Gruevski, duke rikujtuar se, sipas tyre, edhe atëherë kishte pretendime se opozita “i takonte së kaluarës”, por më pas “regjimi ra dhe diktatori u arratis”.