Pjesëmarrje e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë e 20-të të Përgjithshme të APM-së

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut (APM), i përbërë nga deputetët Sali Murati, Jovanka Trençevska dhe Gjorgjia Sajkoski, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ibush Jusufi, në periudhën nga 6 deri më 9 maj 2026 mori pjesë aktive në Asamblenë e 20-të të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, e mbajtur në Budva, Mali i Zi.

Pas mbërritjes, delegacioni u prit zyrtarisht nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili shprehu mirëseardhje dhe konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar në rajonin e Mesdheut.
Asambleja e Përgjithshme u karakterizua me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare – në ngjarje morën pjesë më shumë se 350 delegatë nga vendet anëtare dhe partnerët e APM-së. Në kuadër të ngjarjes u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Asamblesë Parlamentare të Mesdheut dhe Rrjetit Parlamentar të Lëvizjes së të Painkuadruarve, duke hapur kështu një faqe të re në bashkëpunimin parlamentar ndërkombëtar.

Në kuadër të programit të pasur u promovua projekti i APM-së “Cognitive Capital”, një iniciativë inovative e mbështetur nga inteligjenca artificiale, e orientuar drejt avancimit të njohurive dhe kapaciteteve në rajonin e Mesdheut. Gjithashtu, u mbajt edhe ceremonia solemne për ndarjen e çmimeve të APM-së për vitin 2026, ku u vlerësuan kontribute të jashtëzakonshme në fushën e diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit rajonal.
Gjatë Asamblesë u shqyrtuan dhe u hodhën në votim gjashtë projekt-vendime që përfshijnë tema kyçe nga konteksti aktual ndërkombëtar – siguria, lufta kundër terrorizmit, migracioni dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Pas secilës prej këtyre pikave, delegacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut i paraqiti qartë qëndrimet dhe pozicionet e veta, duke kontribuar në dialogun konstruktiv të Asamblesë.
Shefi i Delegacionit, deputeti Sali Murati, mori pjesë aktive në dy panele tematike: “Bashkëpunimi politik dhe i sigurisë në rajonin euro-mesdhetar dhe të Gjirit” dhe “Tendencat globale lidhur me qëndrueshmërinë dhe sfidat ekologjike në rajonet e APM-së”.

Në fjalimin e tij në panelin kushtuar sigurisë, deputeti Sali Murati theksoi se multilateralizmi përfaqëson të vetmen rrugë të qëndrueshme drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë në botën bashkëkohore. Ai potencoi se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nuk është vetëm një hap formal, por një përcaktim i thellë strategjik për siguri kolektive, dialog të ndërsjellë dhe bashkëpunim aktiv ndërkombëtar.
Deputeti Murati u bëri thirrje konkrete të gjitha vendeve anëtare për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, shkëmbim sistematik të informacioneve dhe njohurive të inteligjencës, si dhe për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët në përballjen me sfidat e sigurisë, migracionin ilegal dhe terrorizmin ndërkombëtar.
Në sesionin kushtuar tendencave globale të qëndrueshmërisë dhe sfidave ekologjike, deputeti Murati konfirmoi angazhimin e fuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, duke e theksuar këtë temë si një nga prioritetet më të larta kombëtare dhe rajonale. Ai informoi se shteti gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të matshëm në drejtim të zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, rritjes së efikasitetit energjetik dhe vendosjes së sistemeve moderne për menaxhimin e mbeturinave. Njëkohësisht, deputeti Murati vuri në dukje kërcënimin serioz që paraqesin ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt dhe në mënyrë të matshme në jetën e përditshme dhe shëndetin e qytetarëve.
Në përfundim të fjalimit të tij, ai bëri një thirrje të fuqishme për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërparlamentar, transferimin dhe shkëmbimin e teknologjive, si dhe për aktivitete konkrete dhe të koordinuara të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes afatgjatë të mjedisit në rajonin e Mesdheut.

Pjesëmarrje e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë e 20-të të Përgjithshme të APM-së

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo