Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Konferencën Rajonale Ministrore për përballimin me ndryshimet demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë, e organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me UNFPA.
Në ditën e dytë të punimeve të konferencës, Kryetari mbajti fjalim në të cilin e theksoi rëndësinë e trajtimit të sfidave demografike si një prioritet strategjik për zhvillimin afatgjatë të shtetit, duke potencuar rolin e Kuvendit në krijimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Fjalimi i plotë:
Është nder i veçantë për mua, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju drejtohem në këtë Konferencë e cila trajton një nga sfidat më të thella dhe më përcaktuese për të ardhmen tonë: qëndrueshmërinë demografike.
Dhe kur them qëndrueshmëria demografike nuk e kam fjalën për demografinë si një çështje statistikore, por si një tregues i drejtpërdrejtë i vitalitetit të shtetit, i stabilitetit ekonomik dhe i kohezionit shoqëror.
Për këtë arsye, Strategjia Kombëtare Zhvillimore 2024-2044, e miratuar nga Kuvendi, demografia është vendosur në qendër të politikëbërjes, si një nga gjashtë fushat kryesore strategjike.
Kjo nuk është e rastësishme, por vjen si përgjigje ndaj realiteteve që i ndajmë me shumicën e vendeve rajonale dhe evropiane. Edhe vendi ynë po përballet me trende të qarta dhe sfiduese: plakje të popullsisë, rënie të natalitetit, zvogëlim të fuqisë punëtore, migrim të të rinjve dhe përqendrim të popullsisë në zonat urbane. Këto transformime strukturore kanë implikime të drejtpërdrejta për tregun e punës, sistemin pensional, shëndetësinë dhe vetë qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik.
Në këtë kontekst, roli i Kuvendit është kyç dhe i pazëvendësueshëm, edhe si institucion ligjvënës që harton kornizën për politika afatgjata, edhe si mekanizëm mbikëqyrës që garanton zbatimin e tyre efektiv. Gjithashtu roli i tij si forum demokratik është të ndërtojë konsensus të qëndrueshëm politik dhe shoqëror për interesat strategjike si demografia, që duhet të tejkalojnë interesat elektorale.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sfida demografike në vendin tonë nuk lidhet vetëm me numrat, por me cilësinë e jetës, e cila kërkon një përgjigje dhe qasje të integruar.
Qasja jonë duhet të jetë e orientuar drejt shfrytëzimit të plotë të potencialit të popullsisë – duke investuar në kapitalin njerëzor, duke krijuar mundësi reale për të rinjtë, duke fuqizuar rolin e grave dhe duke garantuar kushte dinjitoze për të gjithë kategoritë e shoqërisë. Prandaj, dua të përshëndes organizatorët e kësaj ngjarje të vyeshme, që mundëson hapësirë për të materializuar këtë qasje.
Demografia në thelb paraqet çështje të besimit në të ardhmen. Ciceroni thoshte: “Kushdo që favorizon një pjesë të qytetarëve dhe neglizhon një tjetër, sjell të keqen më të keqe për komunitetin.” Prandaj është përgjegjësia jonë që përmes politikave racionale dhe institucioneve funksionale, të krijojmë kushte ku gjithë qytetarët pa përjashtim zgjedhin të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë familjet e tyre në vendin tonë.
Në këtë drejtim, riafirmoj përkushtimin tim personal dhe të Kuvendit, për të garantuar që dimensioni demografik të mbetet në qendër të agjendës zhvillimore dhe që politikat të jenë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

