“Bashkimi i së djathtës” në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), i paralajmëruar si synim i kësaj partie deri tash opozitare, po sfidohet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Përderisa udhëheqësit e LDK-së po i finalizojnë bisedimet për një listë të përbashkët zgjedhore me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë – ku pushtetin lokal e drejton kjo parti – këtë javë u shfaqën mosmarrëveshje të brendshme.
Përparim Rama, i cili në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të kaluar u rikonfirmua në krye të Komunës së Prishtinës nën logon e LDK-së, gjatë kësaj jave lidhi marrëveshje për koalicion të qeverisjes lokale me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Pasuan largimet e drejtuesve të disa drejtorive komunale nga radhët e LDK-së, në vend të të cilëve u vendosën ata të PDK-së.
Reagimi i LDK-së, e cila Prishtinën e konsideron si bastion të saj elektoral, ishte i menjëhershëm përmes një komunikate për opinion: partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku tha se strukturat e saj nuk kanë qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje, dhe se ajo “nuk krijon obligime politike për LDK-në”.
A ka përplasje brenda LDK-së?
Rreth asaj se çfarë po ndodh në LDK ka folur nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri.
“Është një lloj moskoordinimi, një lloj tensionimi, por besoj që do të përballohet”, tha ai për Radio Evropa e Lirë.
Ai shtoi se, megjithatë, vendimi i Ramës për koalicion me PDK-në për qeverisje lokale “e ka prekur” nismën për bashkimin e së djathtës brenda LDK-së dhe të forcimit të saj para zgjedhjeve të parakohshme.
“Ia ka humbur shkëlqimin këtij procesi. Kështu do ta definoja, jo më tepër…”, u shpreh ai, duke shtuar se “për momentin, kjo është e tejkalueshme”.
Rama, ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, u shpreh “kundër çdo retorike përçarëse”, dhe e arsyetoi marrëveshjen me PDK-në si diçka të mirë në interes të qytetarëve, duke thënë se “qytetarët nuk jetojnë në parti”.