Trupi i pajetë i një studenteje të re nga Turqia është gjetur në një banesë me qira në Shtip, në rrugën “Vasil Glavinov”.
Sipas informacioneve, rasti është denoncuar pasi kolegët e saj kishin tentuar pa sukses për disa ditë me radhë të vendosnin kontakt me të, pas së cilës kanë njoftuar shërbimet kompetente.
Në vendngjarje sot kanë qenë të pranishëm ekipet e SPB Shtip, Ndihma e Shpejtë Mjekësore dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Shtip, të cilët kanë kryer këqyrjen e banesës.
Informatën e kanë konfirmuar edhe nga MPB:
„Sot (07.05.2026) në ora 14:48 në SPB Shtip është denoncuar se në një banesë në Shtip është gjetur një person i gjinisë femërore e pajetë. Zyrtarët policorë kanë dalë në vendngjarje dhe është konstatuar se bëhet fjalë për U.E.(20), shtetase e Republikës së Turqisë. Ekspertizën po e kryen ekipi i SPB Shtip dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit“.
Trupi i të ndjerës është dorëzuar për obduksion, pas së cilës pritet të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes.