Sali: Integrimi evropian duhet të jetë i drejtë, gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, u drejtua në konsultimin kombëtar “Nga zotimet në veprim: Udhërrëfyesi i përgjegjshëm gjinor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, i organizuar nga Ministria për Çështje Evropiane në bashkëpunim me zyrën e UN Women në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një proces teknik i harmonizimit me legjislacionin e BE-së, por një transformim thelbësor shoqëror, ku barazia gjinore përbën një tregues kyç të cilësisë së demokracisë.

“Bashkimi Evropian është një bashkësi vlerash, ndërsa barazia është një nga vlerat e tij themelore. Prandaj, perspektiva gjinore duhet të integrohet në të gjitha politikat, reformat dhe proceset institucionale,” theksoi Sali.

Ai potencoi se, pavarësisht progresit të arritur, mbeten sfida në tejkalimin e pabarazive strukturore, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional.

Ministri Sali bëri thirrje për përgjegjësi të përbashkët të të gjitha institucioneve, duke theksuar se integrimi evropian nuk matet vetëm përmes ligjeve të miratuara, por përmes ndikimit real në jetën e qytetarëve.
“Ambicia jonë është të ndërtojmë një udhërrëfyes që do të jetë i zbatueshëm, i matshëm dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete. Ky nuk është vetëm përgatitje e një dokumenti strategjik – kjo është vendosje e një standardi të ri në krijimin e politikave,” theksoi Sali.

Ngjarja përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e Udhërrëfyesit të përgjegjshëm gjinor për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë Veriore në BE në bashkëpunim me UN Women, i cili synon integrimin sistematik të parimeve të barazisë gjinore në procesin e integrimit evropian.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo