Mickoski: Kompanitë gjermane nuk janë vetëm investitorë, ato janë partnerë në transformimin e ekonomisë sonë maqedonase

Në kuadër të German-Macedonian Business Summit 2026, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se transformimi digjital është prioritet kombëtar dhe se Maqedonia synon të ndërtojë një ekonomi moderne, efikase dhe konkurruese, të integruar në zinxhirët evropianë të vlerës.

Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se bota po ndryshon me ritme të shpejta dhe se fuqia ekonomike sot matet me njohuri, inovacion, teknologji dhe aftësi për përshtatje. Ai vlerësoi Gjermaninë si partner strategjik dhe model të zhvillimit industrial e teknologjik, duke theksuar se kompanitë gjermane në vend nuk janë vetëm investitorë, por partnerë në transformimin ekonomik të shtetit.

Kryeministri tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj krijimit të një mjedisi stabil dhe pro-biznesit, përmes uljes së barrierave administrative, digjitalizimit të shërbimeve dhe modernizimit të infrastrukturës.

Sipas tij, ekonomia moderne kërkon fabrika inteligjente, automatizim, inteligjencë artificiale, teknologji të gjelbra dhe investim të vazhdueshëm në kapitalin njerëzor. Ai shtoi se fokusi i Qeverisë është krijimi i një ekonomie të bazuar në njohuri, ku të rinjtë do të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.

Mickoski theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me ekonominë gjermane në fushën e digjitalizimit industrial, prodhimit inteligjent dhe teknologjive të avancuara, duke potencuar se Maqedonia ka potencial të bëhet qendër rajonale për teknologji, logjistikë dhe shërbime digjitale.

Në fund, ai porositi se vendi synon të jetë partner i sigurt për investime dhe inovacione, duke dërguar nga Shkupi mesazhin se “të ardhmen nuk e presim — ne e krijojmë”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo