Në prag të Kongresit të Bashkimit të VLEN-it, forumet rinore të partive të koalicionit VLEN kanë propozuar një Rezolutë për avancimin e të rinjve në jetën politike dhe publike.
Të shtyrë nga parimet e demokracisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta, të rinjtë e VLEN-it theksojnë se përfaqësimi i tyre është thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin shoqëror.
Rezoluta parasheh angazhime konkrete për rritjen e përfaqësimit të të rinjve në strukturat vendimmarrëse dhe listat zgjedhore, avancimin e tyre përmes meritës dhe transparencës, si dhe krijimin e programeve për trajnimin e liderëve të rinj.
Po ashtu, theksohet nevoja për rritjen e punësimit rinor, mbështetjen e sipërmarrjes, konsultime të rregullta me të rinjtë dhe përfshirje aktive të tyre në proceset demokratike.
Forumet rinore të VLEN-it vlerësojnë se kjo rezolutë shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re politike, ku të rinjtë janë bartës aktivë të zhvillimit dhe vendimmarrjes.
VLEN riafirmon përkushtimin për fuqizimin e brezit të ri dhe vendosjen e tij në qendër të politikave publike dhe institucionale.