Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Vite të përgjimeve” i autorit Muhamed Halili
Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Vite të përgjimeve” nga autori
Dr. Muhamed Halili. Në këtë ngjarje morën pjesë profesorë, politikanë, bashkëveprimtarë të autorit
dhe studentë. Libri “Vite të përgjimeve” trajton periudha të ndjeshme të realitetit shqiptar, duke
sjellë rrëfime dhe analiza mbi jetën nën survejim, kufizimet e lirisë dhe pasojat që ato kanë lënë te
shoqëria jonë. Ai ngre pyetje mbi lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar pa frikë, duke e
vendosur lexuesin përballë një historie që nuk duhet harruar.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti për veprën që u promovua sot theksoi se
autori, duke u rikthyer në gjenezën e mosmarrëveshjeve maqedonase – shqiptare, argumenton se ato
burojnë nga dy këndvështrime të ndryshme dhe shpesh polarizuese: njëri dominues apo
hegjemonist, dhe tjetri dekolonizues, që kundërshton nënshtrimin duke kërkuar të drejta të
barabarta. Çështja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në vështrimet e tij, vendoset në një
kontekst më të gjerë rajonal dhe ndërlidhet me zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, duke theksuar
rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet elitave politike shqiptare si një faktor kyç për arritjen e lirisë
dhe barazisë së plotë.
Mendimet e tij rreth këtij libri i shpalosi edhe Prof. Dr. Ibish Kadriu. Ai u shpreh se autori i librit,
“Vite të përgjimeve”, përpos tematikave të ndjeshme që trajton, zgjon edhe kujtesën historike të
popullit shqiptar këtu në Maqedoninë e Veriut. “Zgjimi i kësaj kujtese historike sidomos në sferën e
politikës publike, na bën neve “qenie politike”, dhe gjithashtu na shërben edhe si udhërrëfyes për
dilemat e shumta politike që u takojnë brezave të rinj. Autori i këtij libri z. Muhamed Halili duke
qenë edhe vetë protagonist kyç në këtë lëvizje politike, duke pasur dijen, guximin që t’i botojë dhe
të shpalosë bindjet, mendimet dhe qëndrimet e tij politike, me një penë të mprehtë tregon realitete
që duket se janë harruar, por që fatkeqësisht edhe sot janë pjesë e politikës publike”, deklaroi, Prof.
Dr. Ibish Kadriu.
Recensentët e këtij libri, Prof. Dr. Xheladin Murati dhe Prof. Dr. Hasan Jashari u shprehën se ky
libër nuk është thjesht një rrëfim personal, por një dëshmi e kohës, një pasqyrë e rrethanave të
vështira nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë. Fjalët e tyre nuk mbetën vetëm në rrafshin akademik,
ata po ashtu evokuan kujtime nga e kaluara, duke rikthyer në kujtesën kolektive momente të atyre
kohërave, sa të vështira po aq edhe të arta.
Autori i librit, Dr. Muhamed Alili, theksoi se ky botim nuk është autobiografik, por një libër me
premisa të së kaluarës, si dhe me porosi politike e filozofike. Ai u shpreh se libri pasqyron të
kaluarën tonë dhe ofron një vizion për të ardhmen. Dr. Muhamed Alili shprehu keqardhje që
politika shqiptare në përgjithësi, duke filluar nga gjenerata e tij e deri te gjeneratat e tjera politike
shqiptare, ka qenë një politikë e përgjimeve dhe dajakut. Ai nënvizoi se duhet vlerësuar fakti se kjo
politikë nuk ishte politikë e shqiptarëve të Maqedonisë, por një politikë e sinkronizuar me Lidhjen
Demokratike të Kosovës dhe me politikën e Shqipërisë. Sipas tij, atëherë ekzistonte një platformë e
përbashkët veprimi dhe çdo lëvizje, qoftë pozitive apo e gabuar, ishte bërë në konsultim të
përbashkët, gjithnjë me synimin për të gjetur një rrugëdalje sa më të mirë për shqiptarët e këtyre
trevave. Pjesëmarrësit në këtë veprimtari, vlerësuan se ky libër është i një rëndësie të veçantë, sepse
shërben si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe lëvizjeve politike të shqiptarëve në Maqedoninë e
Veriut.



