
Integrimi evropian nuk është vetëm një proces politik, por një transformim konkret ekonomik që matet përmes investimeve dhe rezultateve reale, u theksua në ngjarjen e sotme me përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut disponon mbi 1.3 miliardë euro mbështetje evropiane, nga të cilat mbi 600 milionë euro përmes IPA III dhe rreth 750 milionë euro përmes Planit për Rritje dhe Agjendës së Reformave 2024–2027. Vetëm përmes instrumentit IPA, për periudhën 2021–2024 janë mobilizuar mbi 460 milionë euro, ndërsa mbështetja totale tejkalon 625 milionë euro.
Këto mjete tashmë po shndërrohen në rezultate konkrete, me investime prej 93 milionë euro në infrastrukturë transporti, 89 milionë euro në mjedis jetësor dhe 49 milionë euro në punësim dhe politika sociale. Për më tepër, janë siguruar mbi 100 milionë euro për bujqësi përmes IPARD, 25 milionë euro për investime të gjelbra dhe mbi 9 milionë euro mbështetje direkte për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Megjithatë, këto mjete janë drejtpërdrejt të lidhura me realizimin e reformave. Nga gjithsej 44 hapa reformues, 21 janë tashmë të lidhur me pagesa prej mbi 92 milionë euro, ndërsa një pjesë ndodhen në periudhë grace, çka tregon një rrezik real për vonesa.
Në kontekst rajonal, konkurrenca është e fortë, me nivele dukshëm më të larta investimesh në vendet e rajonit, ndërsa ekonomia e Maqedonisë së Veriut mbetet rreth 40% e mesatares së Bashkimit Evropian.
Agjenda e Reformave është e orientuar drejt përmirësimit të klimës së biznesit, uljes së procedurave administrative, zvogëlimit të ekonomisë joformale, përmirësimit të qasjes në financa dhe rritjes së konkurrueshmërisë.
Mesazhi është i qartë: vendet që realizojnë më shpejt reformat sigurojnë më shumë mjete dhe një pozicion më të mirë në procesin e integrimit.
Në këtë proces, sektori privat ka rol kyç, veçanërisht duke pasur parasysh se mbi 75% e eksportit është drejt Bashkimit Evropian. Fondet evropiane përbëjnë një mjet të rëndësishëm për investime, zhvillim teknologjik dhe integrim në zinxhirët evropianë të vlerës.
Qëllimi përfundimtar nuk është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por ndërtimi i një ekonomie konkurruese që arrin standardet evropiane në produktivitet dhe investime.


