VLEN ka reaguar në lidhje me kërkesat e partive opozitare për zgjedhje të parakohshme, të cilat u shfaqën sot pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se së shpejti do të ketë zgjedhje.
Nga VLEN thonë se ata janë në fazën përfundimtare të shkrirjes në një parti dhe se janë forca e dytë politike në vend.
“VLEN është në fazën përfundimtare të bashkimit në një subjekt të vetëm politik, duke e forcuar edhe më tej pozitën e tij si forcë dominuese në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Kësisoj, edhe zyrtarisht konfirmohet si forca e dytë politike në vend. Qeveria ka shumicë stabile dhe të konsiderueshme, me tendencë që të zgjerohet edhe më tej”.
“Edhe rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale e dëshmojnë qartë këtë, pasi VLEN fitoi 10 komuna, përkatësisht rreth 80% të komunave me shumicë shqiptare. Kjo është dëshmi e qartë dhe e padiskutueshme se ku qëndron besimi i qytetarëve”.
“Vlerësojmë se fokusi kryesor duhet të jetë realizimi i politikave që përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve dhe forcojnë funksionet shërbyese të pushtetit ekzekutiv”, thonë nga VLEN.