Konkurse të kontestuara, përzgjedhje të dyshimta, si dhe tarifa që arrijnë deri në 50.000 euro për fitimin e titullit noter, këto janë vetëm disa nga akuzat e drejtuara ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit Igor Filkov, të cilat i paraqiti Biljana Jovanovska nga partia politike Desnica gjatë një studioje të hapur në Televizionin 24.
Jovanovska i bëri thirrje ministrit Filkov që të guxojë dhe të përgjigjet nëse pretendimet e saj janë të vërteta.
Ministria e Drejtësisë i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si të pasakta dhe spekulime të pabazuara që synojnë diskreditimin e institucionit. Nga atje theksojnë se në dy vitet e fundit nuk është emëruar asnjë noter, gjë që sipas tyre e konfirmon edhe më tej pavërtetësinë e pretendimeve.
“Ministria e Drejtësisë nuk merret me komente ndaj spekulimeve të pasakta dhe të pabazuara nga individë të caktuar. Deklarata të tilla sjellin edhe përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje. Vlerësojmë se ato kanë për qëllim të diskreditojnë punën e Ministrisë së Drejtësisë dhe të krijojnë mosbesim dhe keqinformim te qytetarët dhe publiku i gjerë. Gjithashtu, ju informojmë se gjatë dy viteve të fundit Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë asnjë emërim të noterëve, gjë që konfirmon edhe më tej pasaktësinë e pretendimeve për përzgjedhje të parapërcaktuara”, thuhet nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë, përveç këtyre akuzave, Jovanovska pretendon gjithashtu se brenda institucionit u mundësohen privilegje disa juristëve që aplikojnë për licenca noteriale, ndërsa kandidatë të tjerë, sipas saj, margjinalizohen – pretendime që po ashtu janë mohuar nga Ministria e Drejtësisë.