Me një mesazh të qartë se tranzicioni energjetik nuk është më një plan, por një proces aktiv me rezultate konkrete dhe objektiva të matshëm, sot në Qeveri u mbajt mbledhja e Grupit të punës sektorial për energjetikë, e organizuar nga Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, UNDP-së, Bankës Botërore, ambasadave, institucioneve kyçe të sektorit energjetik, si dhe përfaqësues të komunitetit të donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Fokusi i diskutimit ishte përshpejtimi i reformave, koordinimi efektiv i donatorëve dhe përcaktimi i prioriteteve të ardhshme në zbatimin e dokumenteve strategjike dhe agjendës së reformave.
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj theksoi se Maqedonia po hyn në një fazë të re të politikës energjetike – fazë të implementimit, rezultateve dhe përgjegjësisë.
„ Po ndërtojmë një sistem energjetik që ofron stabilitet, besim dhe qëndrueshmëri. Me kornizën e re ligjore, investimet në burime të ripërtëritshme dhe bashkëpunimin e forcuar me partnerët ndërkombëtarë, po vendosim themelet për një sektor energjetik modern, konkurrues dhe të harmonizuar me standardet evropiane,” theksoi ministrja.
Theks i veçantë u vu në miratimin e Planit kombëtar të integruar të energjisë dhe klimës 2025-2030 (NECP), i cili është një kornizë kyçe për dekarbonizimin, efikasitetin e energjisë dhe integrimin në tregun evropian të energjisë. Ministria tashmë po punon për krijimin e një sistemi monitorimi, raportimi dhe koordinimi për zbatimin efektiv të tij.
Në pjesën e tranzicionit të drejtë, u theksua se procesi tashmë po merr dinamikë konkrete operacionale, me Plan vjetor të miratuar për vitin 2026 dhe raporte të përgatitura monitorimi. Përmes Platformës së investimeve për tranzicion të drejtë, po përshpejtohen investimet në burime të ripërtëritshme, me fokus në vende të reja pune, rikualifikim dhe mbështetje për komunitetet e prekura nga tranzicioni.
Takimi gjithashtu riafirmoi angazhimin e fortë për integrim të plotë në tregun evropian të energjisë. Ligji i ri i Energjisë, i harmonizuar me legjislacionin evropian, prezanton mekanizma modernë të tregut, duke përfshirë tregjet e ditës përpara dhe brenda ditës, dhe forcon rolin e operatorit kombëtar të tregut të energjisë elektrike.
Përfaqësuesit e kompanive energjetike informuan për investimet aktuale dhe ato të planifikuara. U theksua përparimi në modernizimin e rrjetit të transmetimit, zhvillimi i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, si dhe proceset e lidhjes së tregjeve (market coupling) dhe digjitalizimit.
Ministria gjithashtu prezantoi rezultate konkrete nga periudha e kaluar, duke përfshirë:
• investime aktive në kapacitete diellore dhe të erës në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare;
• përparim në realizimin e interkonektorëve të gazit me Greqinë dhe Serbinë;
• përgatitje të programeve për efikasitet energjetik, përfshirë edhe rikonstruksionin e objekteve publike;
• vendosje e një qasjeje sistemike për trajtimin e varfërisë energjetike.
Si prioritete kryesore për periudhën e ardhshme u përmendën: finalizimi i kornizës ligjore, përshpejtimi i investimeve në burime të ripërtëritshme dhe në infrastrukturën e rrjetit, digjitalizimi i proceseve, përmirësimi i efikasitetit energjetik, si dhe forcimi i monitorimit të zbatimit të reformave.
Pjesëmarrësit e përshëndetën progresin e arritur dhe theksuan nevojën për koordinim edhe më intensiv dhe partneritet në realizimin e qëllimeve të përbashkëta – siguri energjetike, qëndrueshmëri, konkurrueshmëri dhe integrim të plotë në sistemin energjetik evropian.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale mbetet e vendosur për një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve të tranzicionit energjetik, si një shtytës kyç i zhvillimit ekonomik të vendit dhe integrimit evropian.








