Dimitrieska-Koçoska në Dialogun ekonomik dhe financiar: Jemi të përkushtuar për rritje stabile ekonomike me fokus në reforma dhe financa publike të qëndrueshme në kushtet e pasigurisë globale
5 maj 2026, Shkup – Financat publike të qëndrueshme dhe stabiliteti makroekonomik janë kruciale në kushtet e rritjes së pasigurisë globale, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë fjalimit të saj në Dialogun ekonomik dhe financiar, i cili u mbajt sot në Bruksel.
Në suaza të Dialogut të 12-të ekonomik dhe financiar, u diskutua zhvillimi ekonomik, sfidat dhe planet, si dhe u miratuan rekomandime për politikat e targetuara për secilin vend, të cilat duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme.
“Hapësira e kufizuar fiskale është çështja më urgjente me të cilën përballen ministrat e Financave pas disa krizave të njëpasnjëshme dhe përkrahjes së fuqishme fiskale të ofruar gjatë pandemisë”, vuri në dukje ministrja.
Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave që lidhen me zhvillimet globale dhe presionet e reja energjetike, ekonomia maqedonase pritet të vazhdojë me rritjen stabile, ngadalësimin e moderuar në periudhën afatshkurtër dhe përshpejtimin gradual në plan afatmesëm, duke monitoruar me kujdes risqet e përkeqësimit të gjendjes gjeopolitike.
Hapësira e kufizuar fiskale, siç theksoi ministrja, është një nga sfidat kryesore, e cila kërkon balancim të kujdesshëm midis nevojës për investime dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal.
“Konsolidimi fiskal është gradual, kurse rritja ekonomike e Maqedonisë në periudhën e ardhshme do të nxitet kryesisht nga investimet në infrastrukturën e transportit, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Gjithashtu, duke pasur parasysh ndryshimin e shpejtë të klimës gjeopolitike, sektori energjetik ka përparësi, sepse disponueshmëria dhe qasja e energjisë elektrike bëhen thelbësore për rritjen, investimet dhe axhendën politike. Kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme për balancimin midis nevojave financiare për investime dhe hapësirës së kufizuar fiskale”, nënvizoi ministrja.
Po ashtu, ministrja potencoi se fokusi është vendosur mbi zbatimin e reformave për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike përmes konsolidimit fiskal gradual, përmirësimit të menaxhimit të investimeve publike, digjitalizimit dhe vendosjes së e-faturës, uljes së ekonomisë joformale, përgatitjes së raportit të shpenzimeve tatimore dhe revizionit të shpenzimeve.
Ministrja sqaroi se procesi evropian mbetet nxitësi krucial i reformave, të cilat synojnë transformimin strukturor të ekonomisë, energjetikën dhe tranzicionin digjital, si dhe përmirësimin e mjedisit afarist.
Në konkluzionet e përbashkëta të takimit u theksua nevoja për vazhdimin e konsolidimit fiskal përmes masave konkrete, me qëllim të uljes së deficitit buxhetor dhe krijimit të hapësirës së mëtejshme fiskale.
Dialogu ekonomik dhe financiar është dialog vjetor për politikën ekonomike. Në Dialogun ekonomik dhe financiar në Bruksel marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane, si dhe ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës.
https://linkprotect.cudasvc.com/url?a=https%3a%2f%2fwe.tl%2ft-X1cpNxjOA1NV7ToS%3futm_campaign%3dTRN_TDL_05%26utm_source%3dsendgrid%26utm_medium%3demail%26trk%3dTRN_TDL_05&c=E,1,KAAoBFmlhQgxKLZeoZD-NgcAow27G8ATk4jW9JitiqkrpflW8dlxiUg-Uf-OZcMaO0o0wOr3qXGAj70cb_Wz8omFjGxTBWKKgHHEArvmXuJ7pOYrEqM,&typo=1

