Dy jetë të njoma të shuara, sa të tjera duhet të humbin që ligji të zgjohet?





Urim Saliu

Dy fëmijëve iu pre jeta në mes. Në vend të ëndrrave, në vend të të ardhmes, mbeti vetëm një çast i errët që i ndau përgjithmonë nga kjo botë. Ata po luanin, po jetonin pafajësinë e tyre, ndoshta edhe vallëzimin e fundit të fëmijërisë dhe brenda një sekonde, gjithçka u shua.
Si një vetëtimë e zezë, u shfaq një i dehur , i pakontrolluar, i pamëshirshëm. I mori zvarrë trupat e tyre të njomë, i la në grahmat e fundit, me ëndrrat që u shuan para se të fillonin. Dhe pastaj iku. La pas rrugë të përgjakura dhe një dhimbje që nuk ka fjalë ta përshkruajë.
Kjo nuk është vetëm një tragjedi, por një dështim. Dështim i sistemit, i ligjit, i kujdesit kolektiv. Sa herë duhet të përsëritet kjo skenë që ne të kuptojmë se dënimet nuk mjaftojnë? Se ligji duhet të jetë më i ashpër, më i pamëshirshëm ndaj atyre që marrin jetën nën ndikimin e alkoolit?
Nuk mjafton të reagojmë pas tragjedisë. Shteti duhet të veprojë para saj. Duhet kontroll më i rreptë, masa parandaluese, ndëshkime që frikësojnë dhe ndalojnë. Nuk mund të lejojmë që rrugët tona të kthehen në varreza të hapura për fëmijët.
Sepse çdo vonesë kushton jetë. Dhe çdo jetë e humbur është një akuzë ndaj nesh të gjithëve.
Dhe ata shpirtra të njomë ikën në këtë pranverë melankolike, në rrugët që u përgjakën dhe dhimbjën që shpon deri në palcë të gjithë pa përjashtim.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo