Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kur RMV ka shënuar rënie në renditjet për lirinë e medias, pritej reflektim institucional dhe përgjegjësi politike. Por ndodhi e kundërta. VLENi, në vend që të heshtë apo të japë llogari për klimën e përkeqësuar ndaj mediave, zgjodhi të sulmojë dhe akuzojë gazetarët për mercenarizëm.
Këtë VLENi e bëri përmes deputetit të tyre, Bekim Qoku, i cili hodhi akuza të rënda ndaj gazetarëve, duke i etiketuar si “mercenarë” dhe madje duke përmendur shifra konkrete parash.
Ai ka shkruar në FB: “Sot derdhen dhjetëra mijëra euro për reportazhe vajtuese, të prodhuara nga gazetare e gazetarë mercenarë, për të blerë narrativë sipas porosisë së paguesit.”
Imagjinoni, një përfaqësues i zgjedhur i popullit del publikisht dhe akuzon një sektor të tërë, median, për korrupsion dhe shitje të ndërgjegjes profesionale, pa ofruar asnjë provë konkrete. Kjo nuk mund të kuptohet assesi ndryshe pos si përpjekje për delegjitimim të zërit kritik dhe për të frikësuar gazetarinë e pavarur.
Kjo nuk mbahet mend as në periudhat më të errëta të presionit politik ndaj mediave.
Qoku dhe VLEN, po e zëmë për një moment se keni të drejtë. Le ta pranojmë si hipotezë. Atëherë ne po ju pyesim ju: A është më e rrezikshme për shoqërinë dhe shqiptarët që opozita të ketë media që e mbështesin, apo fakti që ju i bëni mercenarizmin politikave antishqiptare, kundër gjuhës shqipe, kundër studentëve, dhe që prodhojnë përjashtim sistematik të shqiptarëve nga institucionet?
Hë, Qoku, na thuaj a ia Vlen ky mercenarizmi juaj antshqiptar, dhe sa kushton?