“Spitali Klinik në Tetovë do të rindërtohet plotësisht, do të modernizohet dhe do të riorganizohet funksionalisht përmes një projekti strategjik me vlerë 4,56 miliardë denarë, përkatësisht rreth 74 milionë euro”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një postim në rrjetin social Facebook.
Sipas ministrit Aliu, bëhet fjalë për një projekt që duhet të ndryshojë përgjithmonë mënyrën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në rajonin e Pollogut.
Ministri Aliu thekson se projekti do të realizohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përmes kombinimit të mjeteve shtetërore dhe financimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të strukturuara në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Projekti parashikon rindërtim dhe modernizim të plotë të objekteve ekzistuese, furnizim me teknologji dhe pajisje moderne mjekësore, si dhe lidhje funksionale të objekteve spitalore me korridore të mbyllura (të ngrohta), me qëllim lëvizje më të sigurt dhe më efikase të pacientëve dhe personelit shëndetësor. Përveç kësaj, do të ndërtohen edhe dy ndërtesa të reja moderne.
“Po kalojmë nga objekte të ndara dhe të amortizuara drejt një sistemi të integruar dhe funksional, të gatshëm për të ardhmen. Nga një sistem që vonon, drejt një sistemi që reagon në kohë,” thekson ministri Aliu.
Sipas tij, ky investim do të krijojë një institucion të ri rajonal shëndetësor, ku qytetarët e rajonit të Pollogut do të mund të marrin shërbime cilësore shëndetësore në kohë dhe më afër vendbanimit të tyre.
Ministri Aliu thekson se projekti ka edhe një dimension të rëndësishëm zhvillimor dhe arsimor. Në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, profesorët dhe studentët e mjekësisë për herë të parë do të kenë kushte moderne dhe dinjitoze për punë, trajnim praktik dhe përgatitje sipas standardeve të shëndetësisë bashkëkohore.
“Këto projekte janë jetike për sistemin shëndetësor dhe ne që i realizojmë, me të drejtë do të krenohemi me to gjithë jetën. Sepse nuk ndërtojmë vetëm mure. Ndërtojmë standarde. Ndërtojmë dinjitet. Ndërtojmë të ardhmen për shëndetësinë në vendin tonë,” thuhet në njoftimin e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu.