Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se autostrada Kërçovë–Ohër do të lëshohet plotësisht në përdorim më së voni deri në tremujorin e parë të vitit 2027.
Ai vuri në dukje se projekti u përball me sfida serioze financiare, veçanërisht pas anulimit të kredisë nga banka kineze “Exim”. Megjithatë, siç tha ai, autoritetet kanë arritur të sigurojnë një zgjidhje të re përmes formimit të një sindikate me bankat komerciale vendase, gjë që garanton vazhdimin dhe përfundimin e ndërtimit.
“Është shumë e rëndësishme që qytetarët ta shohin progresin e autostradës drejt Ohrit, e cila tashmë është lëshuar pjesërisht në qarkullim. Presim që, sipas paralajmërimeve, ajo të përfundojë plotësisht më së voni deri në tremujorin e parë të vitit 2027. Përkundër sfidave, projekti do të realizohet deri në fund,” deklaroi Mickoski.
Autostrada Kërçovë–Ohër është një nga projektet kyçe të infrastrukturës në vend, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore dhe sigurinë në këtë aks rrugor.
Autostrada e gjatë 57 kilometra filloi të ndërtohet në vitin 2014, dhe deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra, përkatësisht seksionet Vrbjani-Botun dhe Klimeshtani-Ohër, ndërsa pjesa tjetër është ende në ndërtim e sipër.
Por një premtim se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë deri në fund të vitit 2026 e kishte dhënë ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski më 10 korrik 2024.
Ndërtim historik
Autostrada 57 kilometra filloi të ndërtohet 12 vjet më parë, dhe deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra, përkatësisht seksionet Vrbjani – Botun (20 kilometra) dhe Klimeshtani – Ohër (17 kilometra), ndërsa pjesa tjetër është ende në ndërtim e sipër. Fillimisht, për ndërtimin ishin planifikuar 374 milionë euro, por me anekset që janë shtuar me kalimin e viteve, kostoja e autostradës është rritur ndjeshëm dhe deri më tani janë realizuar 557,985,782.11 euro, ose 93.3 përqind e shumës së planifikuar për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, shkruan Radio Evropa e Lirë (REL), duke cituar të dhënat e fundit nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Nëse shuma e paguar deri më tani është 93.3 përqind e shumës së planifikuar, atëherë shuma përfundimtare, sipas parashikimeve të mëparshme, duhet të kishte qenë 598,055,500 euro. Nëse kësaj shume prej rreth 598 milionë eurosh i shtojmë edhe 186 milionë euro nga aneksi i ri – i tetë, ndërtimi i autostradës arrin në një shumë fantastike prej 784 milionë eurosh, që është më shumë se dyfishi, ose mbi 400 milionë euro, i 374 milionë eurove të projektuara fillimisht. Seksioni Kërçovë-Ohër ka një gjatësi totale prej 57 kilometrash, kështu që rezulton se me aneksin e fundit një kilometër i autostradës do të arrijë në 13.7 milionë euro.(INA)