“Ofendim apo keqkuptim?” – Nafie Selmani akuzon VLEN-in për ‘dramë fjalësh’ dhe kërkon sqarim publik
Nafie Selmani
Fjalët që prekin ndjenjat dhe dinjitetin njerëzor nuk duhet të kalojnë pa shpjegim dhe pa përgjegjësi. Prandaj, i kthehemi “ofendimit” se shqiptarët e RMV-së qenkan idiotë.
I pari që reagoi ishte ministri i VLEN-it, Durmishi nga Lëvizja BESA, duke kërkuar kërkimfalje nga ministri i Jashtëm. Më pas këtij reagimi iu bashkua edhe eksponenti i VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi. Në fund, pas torturës mediatike që e shkaktuan, VLEN-i doli me komunikatë për media dhe përsëri kërkoi kërkimfalje nga ministri Hoxha.
Ndërkohë, dje, Izet Mexhiti nga LD-ja shkoi në Tiranë dhe prej andej deklaroi se ishte keqkuptim, dezinformim, pra, jo ofendim.
Me kompetencë qytetare, e pyes Zeqirija Ibrahimin, që si gjuhëtar të na shpjegojë me kompetencë: a janë e njëjta gjë “ofendimi” dhe “dezinformimi” apo “keqkuptimi”?
Shqiptarët në RMV kanë njëmijë e një halle të tjera. Megjithatë, VLEN-i krijon drama fjalësh për t’i rrëmbyer emocionalisht, ndërsa në këtë mënyrë VLEN-i përpiqet të mbulojë njëmijë e një dështimet e veta.
Shqiptarët sot presin që VLEN-i të dalë me një komunikatë për media, t’u kërkojë falje dhe t’u sqarojë se gjithçka paska qenë KEQKUPTIM dhe DEZINFORMIM.