Janevska: së bashku me partnerët vazhdojmë të avancojmë arsimin profesional dhe të lidhim atë me komunitetin e biznesit
Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë sot u mbajt ngjarja e katërt kombëtare për
ndarjen e granteve nga Fondi Rajonal për Sfida, që ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të
arsimit profesional dhe lidhjen me sektorin e biznesit.
Këtë herë u nda grant në vlerë prej 500 mijë euro për realizimin e projektit “Trajnim i mençur
në përpunimin e produkteve të qumështit dhe mishit” Fakultetit të Bujqësisë pranë
Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip dhe Shkollës së Mesme Komunale “Koço Racin” nga
Sveti Nikolla, së bashku me gjashtë kompani. Me këto mjete do të ndërtohet dhe pajiset
Qendra moderne trajnimi për përpunimin e qumështit dhe mishit, do të përgatitet programi
mësimor dhe materialet mësimore me ç’rast do të mbështeten dy kualifikime: Përpunues i
qumështit dhe Përpunues i mishit dhe produkteve të mishit.
Në këtë ngjarje fjalim mbajti edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna
Janevska, e cila shprehu kënaqësinë që arsimi dhe komuniteti i biznesit vazhdojnë të krijojnë
mundësi për të rinjtë dhe të ndërtojnë kapital njerëzor konkurrues.
“Në Maqedoni, me krenari flasim për suksesin e modelit të arsimit dual, në kuadër të arsimit
të mesëm profesional. Në këtë grant njihen të gjitha praktikat e tij të mira – mundësia e
partneritetit midis shkollave të mesme dhe fakulteteve, roli aktiv i kompanive, përfshirja e
odave ekonomike, trajnimi praktik i nxënësve me mentorë, si dhe bashkëpunimi me partnerë
ndërkombëtarë. Qëllimi i përbashkët është zgjidhja e drejtpërdrejtë e sfidave strukturore të
tregut të punës, si papunësia e të rinjve dhe mungesa e aftësive, si dhe rritja e
konkurrueshmërisë së kompanive lokale,” theksoi Janevska.
Gjithashtu theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i zbaton me intensitet reformat në
arsim. Konform Agjendës së Reformave, deri në dhjetor të vitit 2026 shteti ka obligim të
arrijë numrin prej 700 kompani të përfshira në arsimin dual. Tashmë kjo shifër është tejkaluar
dhe mbi 800 kompani janë të përfshira në përvetësimin e njohurive praktike të nxënësve
drejtpërdrejt te punëdhënësi. Ndërsa siç tha Janevska, kjo shifër do të vazhdojë të rritet, sepse
kompanitë e shohin përfitimin nga pjesëmarrja në arsimin cilësor të kuadrove sipas nevojave
të tyre.
“Nxënësit gjithashtu e njohin përparësinë për të hyrë në tregun e punës ose në arsimin e lartë
të përgatitur jo vetëm me njohuri teorike, por edhe me njohuri praktike nga vende konkrete
pune, dhe për këtë arsye edhe numri i nxënësve në paralelet duale në shkollat e mesme
profesionale është gjithnjë e më i madh nga viti në vit. Në arsimin profesional janë të
regjistruar 66% e nxënësve të shkollave të mesme. Prej tyre, rreth 30% janë të regjistruar në
arsimin dual,” informoi ministrja.
Duke u shprehur mirënjohje partnerëve ndërkombëtarë në arsimin profesional për investimet
e vazhdueshme në përmirësimin e tij, theksoi se me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili së
shpejti do të jetë para deputetëve, arsimi dual ngrihet në nivelin e arsimit të lartë. Jepet
mundësia që mësimi praktik në lëndët e detyrueshme, për fushat ku kjo është e zbatueshme,
të zhvillohet si arsim dual nën mentorimin e ekspertëve nga sektori real dhe të një mentori
nga programi përkatës i studimeve në universitet.
Fondi Rajonal për Sfida është institucion financiar që ka për qëllim rritjen e
konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor 6, përmes financimit të
investimeve në pajisje dhe infrastrukturë për projekte të arsimit dual dhe profesional, të
hartuara në partneritet midis institucioneve të arsimit profesional dhe ndërmarrjeve. Grantet
ndahen përmes një sfide konkurruese rajonale.
Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i ndau 73,4 milionë
euro për RCF, ndërsa qeveria zvicerane, e përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për
Bashkëpunim dhe Zhvillim, bashkëfinancoi edhe 10 milionë euro shtesë. Mjetet iu ndanë
Bankës Gjermane për Zhvillim, ndërsa realizuar nga Forumi i Investimeve i Odave të
Tregtisë së Ballkanit Perëndimor 6, si iniciativë e përbashkët e odave ekonomike të rajonit.
Fondi zbatohet nga konsorciume konsulence.
Pas katër thirrjeve të hapura, Fondi Rajonal për Sfida është zotuar të mbështesë gjithsej 17
projekte me 91 ndërmarrje partnere në Maqedoni, në vlerë prej 7,63 milionë euro. Në thirrjen
e katërt për propozime projektesh, arritën 187 shprehje interesi nga vendet e Ballkanit
Perëndimor, prej të cilave 14 ishin nga Maqedonia. Komisioni për përzgjedhje vendosi të
financojë një projekt më të suksesshëm nga Maqedonia me një shumë totale prej 495,350
euro.