A do ta pranojë Vjosa Osmanin për presidente? Kurti nuk përgjigjet

Kryeministri Albin Kurti, sot në mëngjes është pyetur nga gazetarët nëse do ta pranonte Vjosa Osmanin si kandidate për presidente nëse propozohet nga Lidhja Demokratike.

Por Kurti ka heshtur dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Këtë pyetje gazetarët ia parashtruan Kurtit derisa ai po hynte në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare në shenjë nderimi për Rexhep Qosjen.

Ndërsa mbrëmë janë përplasur përmes deklaratave Vetëvendosje dhe LDK, shkruan Reporteri.net.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV, Arbërie Nagavci mbrëmë deklaroi se “akoma po presin emra konkretë nga dy partitë opozitare”.

“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte (mbrëmë), dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka shkruar ndër tjerash Nagavci në Facebook.

Por, dy deputetët e LDK-së Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, të dielën pyetën pushtetin nëse i kanë 66 vota.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se tashmë emri është bërë i ditur, duke kërkuar nga shumica parlamentare të sqarojë nëse i ka votat e nevojshme.

“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar shkurt Lushaku.

Kurse deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, përmes një statusi ka pyetur VV-në se ku mbetën qato 66 vota.

“Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se të shtunën pas seancës së Kuvendit, Lumir Abdixhiku, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur për zhvillimet politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së emrit të Vjosa Osmanit në diskutime.

“LDK mund të propozojë edhe emra, s’kemi nevojë me i propozu tre, e propozojmë një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregon ai a i ka 66 vota për këtë president, por njehërë duhet të vendosë a dëshiron marrëveshje”, tha Abdixhiku.

Ndryshe, një ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.

Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve. /Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo