Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj debatit të krijuar për një deklaratë të pretenduar të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, lidhur me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për heshtje dhe tha se deklarata e përdorur me termin “idiotë” është bërë me porosi të tij.
Sipas tij, mungesa e reagimit nga Rama tregon, siç u shpreh, se ky qëndrim është i lidhur drejtpërdrejt me kryeministrin dhe politikën e tij.
“Ky reagim erdhi kur një portal në Maqedoninë e Veriut sulmoi Edi Ramën… dhe shqiptarët u quajtën idiotë nga Rama dhe ministri i tij. Akt i turpshëm, antikombëtar,” deklaroi Berisha.
Ai komentoi gjithashtu vizitën e Ramës në Greqi dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, duke pretenduar se nuk ka pasur përparim real në çështjet dypalëshe.
Në vijim, Berisha kritikoi edhe situatën ekonomike në vend, duke thënë se ekonomia shqiptare ndodhet në krizë dhe se, sipas tij, po mbahet nga ndërtimi dhe aktivitete informale.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku opozita dhe mazhoranca vijojnë përplasjet për çështje të politikës së jashtme dhe ekonomisë./