Burrë e grua vriten në atentat në Balldre të Lezhës, makina u qëllua me mbi 30 plumba në ecje. Policia në kërkim të autorëve, viktima i arrestuar më herët për vrasje
Një atentat i dyfishtë ka ndodhur ditën e sotme në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci, prindër të katër fëmijëve.
Makina me të cilën ata po lëviznin u godit më mbi 30 plumba, duke i lënë të vdekur në vendngjarje.
Mësohet se viktima, në tetor të vitit 2017 u arrestua si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër. 30 vjeç në atë kohë, Mujeci u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë Arben Nasufi, kreu i Policisë Lezhë konfirmon se mjeti u godit me breshëri plumbash ndërsa ishte në lëvizje.
Policia ndërkohë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorëve.
17:36 Video/ Atentati ku mbetën të vrarë burrë e grua në Lezhë, momenti kur grupi hetimor tenton të nxjerrë trupat e viktimave nga makina
Në pamjet që shihni është momenti kur grupit hetimor tenton të nxjerrë nga makina trupat e dy viktimave, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci që mbetën të vrarë nga atentati me mbi 30 plumba në Balldre të Lezhës. Siç duket edhe nga pamjet siguruar nga korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda, vërehen efektivët e policisë që tentojnë të hapin dyert e makinës e cila është bërë ‘shoshë’ nga plumbat.