Arianit Xhaferi kundër rritjes së çmimit për mbeturinat në Tetovë: Qytetarët po paguajnë për një sistem të dështuar
Aktivisti i “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së kompanisë për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë për rritje të çmimit të shërbimeve, duke e cilësuar atë si të pajustifikuar dhe në dëm të qytetarëve.
Ai thekson se kërkesa për shtrenjtim prej mbi 30% vjen pa asnjë përmirësim konkret në shërbime, ndërsa problemet ekzistuese vazhdojnë të rëndojnë jetën e përditshme të banorëve.
Në vijim, reagimi i plotë i aktivistit të “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferit:
“Saubermacher paska guximin të kërkojë shtrejtim prej +30% për tetovarët dhe për këtë nuk ofron ndonjë shërbim të ri ose përmirësim të shërbimeve aktuale, por kërkon nga të zgjedhurit tanë në Këshillin e Komunës që t’ja mundësojnë këtë?!
Le ta themi troç:
Kontenierët në qytetin tonë janë të hapur, të stërmbushur dhe të pakontrolluar me çka qentë endacakë dhe macet i shpërndajnë mbeturinat nëpër rrugë dhe era e rëndë e mbeturinave është bërë normale.
Faturat për shërbimin që kryejnë s’vinë asnjëherë në adresë fizike si duhet. Unë që jetoj në banesë asnjëherë s’e kam gjetur faturën ke dera ime, por ke hyrja kolektive në një tufë të madhe të paorganizuar ku duhet t’a kërkoj e ta gjej. Ndonjëherë s’e gjej fare sepse aty ka fatura të adresave tjera, por jo dhe të hyrjes së ndërtesës ku banoj unë. Personalisht, e kam kërkuar dhe e marr përmes emailit ose aplikacionit, por ka shumë familje tjera që nuk shfrytëzojnë email ose s’dinë t’i përdorin aplikacionet dhe vonohen me pagesat dhe më pas procesohen nëpër noterë e përmbaruesë.
A vepron edhe në Austri kështu Saubermacher apo vetëm në Tetovë? Dhe ndërkohë kërkon të paguajmë më shumë? Për çfarë saktësisht? Për një sistem të dështuar që rrezikon shëndetin e qytetarëve çdo ditë.
Ligjet dhe standardet bazë kërkojnë:
– mbrojtje të shëndetit publik
– parandalim të ndotjes
– menaxhim të sigurt të mbeturinave
Asnjë nga këto nuk po respektohet. Dhe tani qytetarëve u kërkohet të paguajnë më shumë për këtë realitet?
Këshilltarët nuk guxojnë t’ja aprovojnë këtë kërkesë kompanisë Saubermacher derisa nuk po vendos standarde në menaxhimin e mbeturinave apo nuk ofron shërbime shtesë për të njëjtat”, përfundon Xhaferi.