Abdixhiku i drejtohet edhe një herë Kurtit: E propozojmë edhe Vjosa Osmanin nëse na i garantoni 66 vota për të
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur edhe një herë ofertës së kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se do ta propozojnë Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.
Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për presidente nëse VV-ja i garanton votat për të.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar tutje kryetari i LDK-së.