Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, priti në takim përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Investime (EIB) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Björn Gabriel.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe EIB-së, si dhe për përshpejtimin e realizimit të projekteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian. Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve në fushën e infrastrukturës, energjisë, mjedisit dhe mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Zëvendëskryeministri Sali theksoi rëndësinë e rolit të EIB-së si partner kyç në avancimin e zhvillimit ekonomik dhe në mbështetjen e agjendës reformuese dhe integruese të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i EIB-së, Gabriel, konfirmoi gatishmërinë e Bankës për të vazhduar mbështetjen dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në projekte strategjike që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.


