Ekipi i Fakultetit Filozofik të Universiteti i Tetovës, në periudhën 21–23 prill 2026, ka realizuar
disa aktivitete promovuese në shkolla të mesme të vendit, duke organizuar punëtori me temë
“Orientimi profesional për të rinjtë – rruga drejt përzgjedhjes së profesionit”.
Këto veprimtari u zhvilluan me qëllim të informimit dhe orientimit të maturantëve për regjistrim në
vitin akademik 2026/2027. Në kuadër të punëtorive, ekipi prezantoi ofertën arsimore-shkencore të
13 fakulteteve të Universitetit të Tetovës për këtë vit akademik, duke ofruar një pasqyrë të plotë
mbi programet studimore dhe perspektivat që ofrohen.
Punëtoritë u realizuan në disa institucione të arsimit të mesëm, përfshirë: SH.M. “Saraj”-Shkup,
“Shkolla e Mesme Medicinale” – Gostivar, SH.M. “Pançe Karagjozov” – Shkup, SH.M. “Drita” –
Kërçovë, SH.M. “Niko Nestor” – Strugë, SH.M. “Ibrahim Temo” – Strugë, SH.M. “28 Nëntori” –
Dibër, SH.M. “Sami Frashëri” – Kumanovë, SH.M. “Ismet Jashari” – Kumanovë, SH.M. “Zef Lush
Marku” – Shkup, SH.M. “7 Marsi” – Tetovë dhe SH.M. “MAARIF” – Tetovë.
Gjatë këtyre takimeve të drejtpërdrejta, maturantët e sipërthënë patën mundësinë të informohen më
gjerësisht për drejtimet studimore, kriteret e pranimit, si dhe për mundësitë e zhvillimit profesional
që ofron Universiteti i Tetovës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu sfidave dhe kërkesave
të tregut të punës, duke i ndihmuar të rinjtë të krijojnë një pasqyrë më të qartë për të ardhmen e tyre.
Aktivitetet u mirëpritën nga nxënësit dhe stafi arsimor i shkollave pritëse, duke dëshmuar rëndësinë
e orientimit të hershëm profesional si një hap kyç në ndërtimin e një karriere të suksesshme për të
rinjtë.
Fakulteti Filozofik dhe njësitë e tjera akademike të Universitetit të Tetovës do të vazhdojnë edhe në
ditët në vijim me organizimin e aktiviteteve informuese, me qëllim mbështetjen e të rinjve në rrugën
e tyre drejt zhvillimit akademik dhe profesional, si dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të mesëm
dhe atij universitar.



