Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në një postim në rrjetin social X ka bërë të ditur se Mali i Zi është shumë afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në postim, Kos ka theksuar se Shtetet Anëtare kanë vendosur të fillojnë hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE, një proces që sipas saj po përshpejton reformat.
“Vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë. Sot, Shtetet Anëtare vendosën të fillojnë hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat”.
“Gjithashtu ofron një shans për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e kaluara dhe për të përfshirë mbrojtje të reja dhe më të forta në traktatet e ardhshme të pranimit për të parandaluar kthimin prapa në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore”, ka shkruar ajo.