Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve mes partive politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit, raporton kp.
Ajo tha se ka qenë e gatshme të lirojë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës konsensus, vetëm që të ketë zgjidhje për presidentin.
“Mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet të shtyhen përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 170 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri, por edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm pra ato të brendshme, por edhe të jashtme. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bënë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vetes”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi se është e nevojshme që partitë parlamentare të vazhdojnë takimet dhe të tregojnë vullnet për kompromis, duke kritikuar qëndrimet e fundit të partive opozitare.
“Unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri më, praktikisht, më 27 prill? Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat pesëvjeçar, dhe mua po më duket si dëjë vu. Domethënë, nëse flasim për situatën aktuale, e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar, duket situatë e njëjtë. Por mendoj që duhet të ketë reflektim, sepse qytetarët kanë dhënë mesazhin e tyre më 28 dhjetor. Ata përmes votës së tyre kanë treguar se kë e bënë përgjegjës për bllokadën e për mungesën e vullnetit e të tjera si këto. Prandaj, duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vetes, përkatësisht pesë-gjashtë ditë para vetes, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët.”, tha Haxhiu.