Ministria e Ekonomisë: Miratohen masa për stabilizim të çmimeve të plehrave dhe mbrojtjen e bujqve

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, miratoi paketë vendimesh me qëllim të stabilizimit të tregut të plehrave, mbrojtjes së bujqve dhe sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm në prag të sezonit bujqësor.

Siç thonë nga Ministria e Ekonomisë, këto vendime janë miratuar në përputhje me Ligjin për Tregti, e në bazë të analizës së bërë paraprakisht nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut për lëvizjen e çmimeve të plehrave në tregun vendor në tregtinë me shumicë dhe pakicë në periudhën shkurt-prill të vitit 2026 dhe për lëvizjen e çmimeve të importit të plehrave në periudhën janar-prill të vitit 2026.

“Vendimi i parë përcakton kushte të veçanta për tregtinë e plehrave joorganike, organike dhe organo-minerale, si dhe biostimulantëve dhe përmirësuesve të cilësisë së tokës. Në të njëjtën kohë, vendoset kufizim i marzheve bruto të fitimit në gjithë zinxhirin tregtar. Marzhi maksimal për plehrat joorganike do të kufizohet në: deri në 5% në tregtinë me shumicë; deri në 5% në tregtinë me pakicë. Për llojet e tjera të plehrave dhe produkteve të ngjashme, marzhet janë të kufizuara në: deri në 10% në tregtinë me shumicë; deri në 10% në tregtinë me pakicë”.

“Përveç kësaj, tregtarëve u kërkohet të sigurojnë disponueshmërinë e vazhdueshme të këtyre produkteve, respektivisht të shesin të paktën 70% të sasive mesatare mujore, duke parandaluar kështu krijimin e mungesave artificiale në treg. Me vendimin e dytë, Qeveria përcaktoi edhe një masë të drejtpërdrejtë për të ulur çmimet e sasive ekzistuese të plehrave joorganike në tregtinë me shumicë të prokuruar deri më 15 prill të vitit 2026. Me fjalë tjera, çmimet më të larta janë fikse në nivelin e 15 prillit të vitit 2026, të ulura për 10% vetëm për sasitë e plehrave të blera deri më 15 prill të vitit 2026, ndërsa do të jenë të vlefshme derisa të shterojnë plotësisht”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Më tej shtojnë se këto masa synojnë parandalimin e tronditjeve të çmimeve, mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendor, sigurimin e kushteve të drejta të tregut dhe furnizimin me kohë të bujqve me repromaterialet e domosdoshme. Vendimet do të hyjnë në fuqi në ditën e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, me ç’rast masat që kufizojnë marzhat do të zbatohen deri më 31 maj të vitit 2026.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo