Studentët e Universitetit të Tetovës realizuan vizitë studimore në industrinë e shtypit





Sot, studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Arteve përkatësisht të drejtimit Dizajn Grafik nga Universiteti i Tetovës, të udhëhequr nga profesori i tyre, Mr. Doc. Valmir Aziri, realizuan një vizitë studimore në shtypshkronjën “Poliyesterday” në Shkup.
Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e plotë të prodhimit në një shtypshkronjë profesionale, duke përfshirë përgatitjen e materialeve për shtyp, trajtimin e skedarëve digjitalë dhe standardizimin e tyre sipas kërkesave teknike përkatëse (formatet, rezolucioni dhe përdorimi i hapësirave të ngjyrave si CMYK dhe Pantone), si dhe realizimin e shtypit në pajisje industriale.
Në kuadër të vizitës, studentët u njohën me dallimet ndërmjet teknikave kryesore të shtypit, si shtypi ofset, shtypi digjital dhe fleksografia, si dhe me aplikimin e tyre në varësi të tirazhit, materialit dhe qëllimit të produktit përfundimtar. Gjithashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të ambalazhimit, duke përfshirë dizajnin strukturor, përzgjedhjen e materialeve, prerjen (die-cut), palosjen dhe finalizimin e produkteve.
Studentët u informuan edhe mbi fazën e reproproduksionit, e cila përfshin përpunimin e imazheve, kalibrimin dhe korrektimin e ngjyrave (color correction), proofing-un dhe përgatitjen e pllakave për shtyp. Po ashtu, u theksua rëndësia e kontrollit të cilësisë në çdo fazë të procesit të prodhimit, nga prova fillestare deri te produkti përfundimtar.
Në vazhdim, studentët u njohën me aspektet praktike të menaxhimit të projekteve të printimit, përfshirë komunikimin me klientin, interpretimin e brifit kreativ dhe bashkëpunimin ndërmjet dizajnerëve dhe operatorëve të shtypit, me qëllim arritjen e rezultateve optimale.
Kjo vizitë studimore është një komponent i rëndësishëm në avancimin e përgatitjes profesionale të studentëve, që kontribuon në ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikën dhe në përgatitjen e tyre për sfidat e tregut të punës në fushën e dizajnit grafik dhe industrisë së shtypit.

Studentët e Universitetit të Tetovës realizuan vizitë studimore në industrinë e shtypit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo