Nuk do të ketë rigjykim për rastin “27 Prilli”, pasi Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e të dënuarve

Dështoi edhe përpjekja e fundit e të dënuarve për “27 Prillin” që të përsëritet procedura penale, përkatësisht të gjykohen sërish, pasi Gjykata e Apelit vendosi të mos e pranojë kërkesën e tyre.

– Ankesa është e pabazuar. Gjykata shqyrtoi pretendimet për shkelje thelbësore të procedurës penale sipas nenit 415 paragrafi 1 pika 11 të Kodit të Procedurës Penale, por nuk i pranoi si të bazuara, duke vlerësuar se vendimi nuk përmban mangësi që do ta bënin të pamundur shqyrtimin e ligjshmërisë dhe drejtësisë së tij. Dispozitivi është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa arsyetimi përmban mjaftueshëm argumente për faktet vendimtare dhe qëndrimet juridike të gjykatës, thuhet në vendimin e Apelit.

Me këtë vendim, Apeli e konfirmon vendimin e Gjykatës Penale të 15.12.2025, me të cilin gjithashtu u vlerësua se nuk ka bazë ligjore për përsëritjen e procedurës.

– Gjykata ka vlerësuar drejt se faktet e paraqitura nuk janë të tilla që të çojnë në lirimin e personit të dënuar ose në dënimin e tij sipas një ligji më të butë… Këshilli nuk mund të hyjë në vlerësimin nëse në këtë rast nga gjykatësi apo prokurori janë kryer vepra penale të cilat janë parashkruar, si dhe nëse dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur ka qenë e rreme, thuhet në vendim.

Të akuzuarit disa herë kishin paralajmëruar se do të kërkonin rigjykim dhe se nuk duan amnisti.

– Ata njerëz nuk kërkojnë amnisti, ata kërkojnë drejtësi. Unë jam i pari që angazhohem për drejtësi, por kjo është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatave, kishte deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski në fillim të mandatit të tij.

Lidhur me ngjarjet në Kuvend, në burg ndodhen 16 persona, të dënuar me vendim të formës së prerë me dënime nga 7 deri në 16 vjet burg për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”. Dënimin më të lartë prej 16 vitesh e ka marrë Mitko Çavkov, ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike, i cili në atë kohë kishte të ashtuquajturën “komandë të artë” për protestat para Kuvendit.

Një pjesë e të akuzuarve në këtë rast u amnistuan me ligjin e miratuar në Kuvend në fund të vitit 2018, përfshirë deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së: Ljuben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Krsto Mukoski, Ljupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski, nga të cilët tre votuan për ndryshimin e emrit të shtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo