Nita Kaprolli, e lindur dhe e rritur në Gostivar, po shquhet si një nga profesionistet e reja shqiptare me një profil të rrallë akademik dhe profesional në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Ajo ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në vetëm 10 vite, duke u avancuar dy herë gjatë procesit të shkollimit dhe duke përfunduar ciklet arsimore për kohë më të shkurtër se norma standarde.
Më tej, Kaprolli ka ndjekur paralelisht dy drejtime universitare, duke u diplomuar në Inxhinieri Kompjuterike dhe në Matematikë e Informatikë. Studimet master i ka përfunduar në fushën “Software Application and Development”, duke ndërtuar bazën e saj profesionale në zhvillimin e sistemeve dhe aplikacioneve.
Ajo ka vijuar më pas edhe studime post-master në Massachusetts Institute of Technology (MIT), në programin “Applied Data Science – Leverage AI”, nën udhëheqjen e profesor John Tsitsiklis, ku është vlerësuar me rezultate të larta akademike.
Që në moshë të hershme, Nita Kaprolli është vlerësuar me 16 çmime në fusha të ndryshme shkencore dhe letrare në nivele komunale, republikane dhe ndërkombëtare. Në matematikë ka arritur vendin e dytë në gara republikane, ndërsa gjatë studimeve universitare është shpallur oratorja më e mirë në nivel të universiteteve shtetërore dhe private.
Në fushën e artit dhe letërsisë, ajo ka filluar të shkruajë që në moshën 11-vjeçare dhe është autore e librit “Po vij”, i financuar nga Ministria e Kulturës, si një nga zërat e rinj poetikë të vlerësuar.
Përvoja e saj shtrihet edhe në media, ku ka drejtuar emisionin për fëmijë “Cicerimat e para” për tre vite, si dhe ka punuar si gazetare dhe kolumniste. Është vlerësuar gjithashtu me çmimin e parë kombëtar për emisionin “Sofra kulturore”, për promovimin e instrumentit tradicional kavall në muzikën bashkëkohore.
Në Maqedoni, ajo ka mbajtur edhe funksionin e zëdhënëses në komunën e Gostivarit, ndërsa ka qenë pjesë e ekipeve zhvilluese në projekte programimi, përfshirë platforma zgjedhore dhe aplikacione në rajon.
Në moshën 23-vjeçare, Kaprolli u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u certifikua sipas standardeve profesionale amerikane dhe nisi karrierën si Data Scientist në Managed Healthcare Associates (pjesë e Roper Technologies). Aty ajo kontribuoi në projekte që përmirësuan proceset dhe efikasitetin e kompanisë.
Në vitin 2025, ajo u nderua me Çmimin Presidencial të kompanisë për zhvillimin e aplikacioneve të avancuara me inteligjencë artificiale. Aktualisht, ajo udhëheq departamentin e automatizimit, i përbërë nga gjashtë njësi, duke kontribuar në transformimin digjital, rritjen e të ardhurave dhe optimizimin e proceseve organizative.
Në aspektin akademik, ka publikuar një studim mbi përdorimin e algoritmeve të machine learning për parashikimin e demencës dhe po punon në një projekt tjetër kërkimor njëvjeçar me titull “Address Matching Decision Tree Solution”, i financuar nga kompania ku punon.
Paralelisht, ajo është edhe ligjëruese në King’s College, në departamentin CSI, ku jep lëndën “Programim i avancuar” dhe ndihmon studentët në certifikim dhe integrim në tregun ndërkombëtar të punës.
Në vizionin e saj profesional dhe shoqëror, Nita Kaprolli synon të mbështesë studentët shqiptarë për studime në universitete prestigjioze, të krijojë një inkubator teknologjik dhe të kontribuojë në zhvillimin e talenteve të reja në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në nivel global.