Mickoski: Sipas FMN-së, jemi ndër tre vendet e para në Evropë për masat kundër krizës së çmimeve (VIDEO)

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po ndërmerr masa të fuqishme për përballimin e krizës së çmimeve të karburanteve, duke theksuar se vendi renditet ndër tre të parët në Evropë për nga vëllimi i masave të zbatuara, sipas të dhënave të fundit të FMN-së.

Sipas Mickoskit, pritet ulje e re e çmimeve të derivateve të naftës për rreth 1.5 denarë për litër, ndërsa mbeten në fuqi edhe uljet e mëparshme prej 2 denarë për benzinën dhe 3 denarë për naftën deri në fund të prillit.

“Presim që Komisioni Rregullator për Energjetikë nesër të marrë një vendim me të cilin do të bëhet ulje shtesë e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht rreth 1,5 denarë për litër. Njëkohësisht, mbetet në fuqi masa që kemi rënë dakord tashmë me OKTA-n, që deri në fund të muajit prill të kemi ulje të çmimit të benzinës prej 2 denarë për litër, ndërsa për naftën 3 denarë për litër. Me këtë, sërish mund të konkludojmë se jemi shtet që ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon. Në slide-in tjetër mund të shihni cilat janë çmimet e karburanteve në rajon. Në Maqedoni ato lëvizin nga 1.27 deri në 1.31 euro për litër. Në Greqinë fqinje është 2.06, në Shqipëri 2.07, në Serbi 1.63, Kosovë 1.42, Bullgari 1.47, Mali i Zi 1.55, Bosnjë 1.50, Kroacia nga 1.66 deri në 1.88 dhe Sllovenia 1.62. Bindshëm çmimet më të lira. Dhe ajo që po dëgjoj këto ditë, e gjithashtu pata mundësi të dëgjoj shkurt një intervistë nga ish-kryeministri, zoti Kovaçevski, se edhe atëherë kur ishte kriza në vitin 2022 kemi pasur çmimet më të ulëta në rajon, kjo është gënjeshtër, nuk është e vërtetë, çmimet nuk ishin të tilla në vitin 2022 dhe do t’ju kujtoj se atëherë inflacioni ishte me përqindje dyshifrore në nivel mujor, ndërsa tani është 4.9 për shkak se vitin e kaluar në të njëjtin muaj kishim masa, kështu që baza e krahasimit është mjaft e ulët dhe ato masa zgjatën edhe këtë muaj sepse vitin e kaluar Pashkët ishin më 21 prill. Ju kujtohet që kishim shportë të Ramazanit dhe të Pashkëve, kështu që pres që nga muaji maj gjërat të kthehen në nivelin që presim” tha kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se Maqedonia aktualisht ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon dhe se këto rezultate janë pasojë e politikave të duhura ekonomike. Mickoski kritikoi qeverinë e mëparshme, duke i akuzuar për dezinformim lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.

“ju kujtohet se në periudhën e kaluar LSD dhe partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e mëparshme, siç është BDI, thoshin se vonojmë me masat, se ato nuk ishin të mjaftueshme etj., por sipas të dhënave të FMN-së të publikuara më 15 prill, pra para katër ditësh, mund të vëreni se ne si shtet jemi në vendin e tretë sipas masave që kemi zbatuar si përqindje e BPV-së në Evropë. Gënjyen për migrantët, gënjyen se do të falimentonim, gënjyen se nuk do të kishte para për pensione, e çfarë tjetër nuk gënjyen, kështu që gënjyen edhe për masat që zbatuam dhe e pritëm të përgatitur krizën energjetike, e cila, e përsëris, nuk varet nga ne, por nga zhvillimet gjeopolitike botërore. Nga slide-i mund të shihni se praktikisht si shtet jemi në vendin e tretë dhe kjo është diçka që në të kaluarën për qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së dukej e pamundur” tha kryeministri.

Kryeministri nënvizoi se masat nuk janë afatshkurtra, por pjesë e një strategjie më të gjerë për stabilizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

 

“Dua të theksoj se kjo nuk është politikë afatshkurte, por pjesë e një qasjeje më të gjerë, do të thosha holistike, të qeverisë për stabilizimin e ekonomisë në kushte krize. Paralelisht me këto masa, punojmë edhe për forcimin e ekonomisë vendore, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për rritje afatgjate” u shpreh në fund Mickoski. /TS/

 

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo