“Kur Gonxhja çeli” është libri i parë i autores së re Merita Emurllahi, që u promovua në Amfiteatin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë. Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Malsore Ramadani, e përgëzoi Meritën për punën e bërë edhe në kohën kur ka qenë nxënëse e kësaj shkolle si nxënëse ekselence jo vetëm në mësime po edhe në aktivitete shkollore, dhe i dëshiroi që nesër të jetë një mjeke e suksesshme, por për të vazhduar edhe me krijimtari letrare.
Në emër të Komunës së Tetovës fjalë rasti mbajti Nazmi Dauti, i cili theksoi se është nder për Komunën e Tetovës të kemi talent të tillë si Merita, dhe se Komuna gjithmonë do i përkrahë nxënësit dhe talentet e rinj, si institucion, si themelues të shkollave.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” të Tetovës, të pranishmit i përshëndeti Behare Neziri, sekretare, duke i shprehur përgëzime autores për botimin e librit e duke i dëshiruar suksese në fillimine krijimtarisë, me shpresë që të ketë edhe botime tjera.
“Në vargjet e këtij libri ngritët simbolika e dritës të të gjithëve, të atyre, që ajo i do dhe i ka për shpirti, autorja e librit ka një shpirt të bukur artistik, i mbuluar fund e krye me të bukurën. Jeta e saj është e mbushur me art, si në vargje poetike, në notat e pentagramit muzikor të udhëhequr nga çelsi i Sol-it në instrumentin e flautit ku ajo luan me shumë dashuri deri në pasarelat e bukurisë dhe dashurisë për humanitet e betim të Hipokratit. Një rrugëtim të mbushur me imagjinatë krijuese urojmë edhe në vepra tjera, imagjinata qoftë çdo herë e mbushur edhe me frymëzime të reja e me suksese të shumta edhe në sfera tjera të jetës”- tha ndër të tjera recensentja e librit Sadije Aliti.
Redaktori i librit, Muaxher Haruni, theksoi: “Me poezinë e Meritës jemi takuar në aktivitetet e Shoqatës, aty edhe e filluam rrugëtimin drejt hartimit të këtij libri, ju këtë libër duhet ta lexoni dhe të reflektoni drejt mbi këtë libër dhe autoren,me këta krijues të rinj të shoqatës dhe të tjerë, unë besoj se do ta arrijmë qëllimin tonë”.
“Merita Emurllahi në vargjet e saja kalon përtej kornizave të ndjenjave absolute, përqafon dashurinë pa frikë, dhe pranon vuajtjen si një dhuratë prej saj. Bota e një poeti është një botë e pafundme fjalësh, një burim i pashtershëm emocionesh që ndërlidhin fjalë dhe krijon mrekulli. Ajo, penën ia dorëzon shpirtit teksa vargjet i lë të notojnë në dallgët e pafundme që prezantojnë jehonën e një simfonie të bukur rezatuese”, u shpreh Merita Isaki recensente.
Autorja Merita Emurllahi falemenderoi të pranishmit për kohën e ndarë të jenë pjesë e gëzimit të saj, ka momente në jetë kur fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar peshën e një emocioni. Kam kuptuar se në jetë mund të marrim sa të duam tituj, mund të mbledhim dekorata e diploma, por asnjëra prej tyre nuk ka vlerë nëse harrojmë të jemi Njeri.
Poezinë “Kur Gonxhja çeli” e lexoi Mejrem Asani, me pika muzikore performuan Elmir Zejneli (kitarë), Vlera Emurllahi(violinë) dhe vetë autorja me flautë, promovimin e moderoi Azra Alija.



