Kryetari i Bashkimit demokratik për Integrim (BDI) sot i ka ftuar të rinjtë që të aplikojnë për “Akademinë Politike” të cilën e organizon kjo parti opozitare.
“Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, ata janë bartësit e vazhdimësisë së vizionit tonë shtetformues dhe kombëtar. Prandaj, investimi në edukimin dhe formimin politik të tyre nuk është zgjedhje, por detyrim.
Akademia Politike e Bashkimit Demokratik për Integrim është një investim i drejtpërdrejtë në brezat që do të udhëheqin nesër,” ftoi Ali Ahmeti sot përmes rrjetit social Facebook.
Ai tha se ky program përfshinë 5 module thelbësore: nga përpjekja historike te lindja e BDI-së, Marrëveshja e Ohrit – themeli i shtetit të ri, Shqiptarët në rajon – dimensioni kombëtar dhe rajonal, komunikimi politik dhe integrimi europian.
“Kjo Akademi është një detyrim ndaj historisë dhe një përgjegjësi ndaj së ardhmes. Çdo brez i ri drejtuesish duhet të dijë nga vjen, të kuptojë çfarë garanton ekzistencën dhe të mendojë strategjikisht për rolin e tij në një botë që ndryshon çdo ditë,” tha më tutje Ahmeti
Ai tha se integrimi europian nuk është një premtim politik, është një projekt gjenerate dhe rruga jonë e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ju jeni brezi që do ta çojë këtë projekt përpara. Formimi që merrni këtu nuk është privilegj, është përgjegjësi. Dija e historisë ju jep identitet. Kuptimi i institucioneve ju jep mjet. Aftësia komunikuese ju jep ndikim. Vizionet europiane ju japin destinacion,” tha ai duke përkujtuar se afati i aplikimeve për “Akadaminë Politike” të BDI-së është i hapur deri më 28 prill!