Janevska: Agjenda reformuese na imponon ndryshime në arsimin e lartë, për këtë është e nevojshme edhe kornizë e re ligjore që po e krijojmë tani
Arsimi i lartë dhe shkenca do të marrin kornizë të re ligjore që ofron shumë më tepër mundësi
për profesorët, shkencëtarët, hulumtuesit dhe studentët për zhvillim personal dhe për
kontribut në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në njohuri, aftësi, arritje shkencore dhe
inovacione. Prej një viti e gjysmë po zhvillojmë proces plotësisht transparent dhe shpreh
mirënjohje ndaj komunitetit akademik dhe fushës shkencore, si dhe ndaj të gjithë faktorëve
politikë dhe shoqërorë që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar në hartimin e paketës së re të
ligjeve.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në pres
konferencën e sotme në Qeveri, ku së bashku me kryeministrin Prof. Dr. Hristijan Mickoski
dhe rektorët e gjashtë universiteteve shtetërore trajtuan nevojën dhe procesin e përgatitjes së
propozim-Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, si dhe ligjet për sigurimin e cilësisë në arsimin e
lartë dhe për aktivitetet për veprimtarinë kërkimore-shkencore
“U takuam me të gjithë, i dëgjuam të punësuarit në universitetet publike, në ato private, në
institucionet shkencore dhe në ASHAM. Pranuam numër të madh sugjerimesh konstruktive,
ndërsa vërejtjet kritike të komunitetit akademik dhe shkencor ndihmuan shumë në përgatitjen
e versionit më të mirë të ligjit. Ky nuk është debat i shtirur, i tillë nuk do të zgjaste kaq gjatë.
Nuk është parimi i punës i vitit 2018, kur ligjet silleshin nga kabineti i ministrit”, tha
Janevska.
Ministrja u ndal veçanërisht te risitë dhe përfitimet nga Ligji i ri për Arsimin e Lartë, duke
theksuar se ai ofron meritokraci përmes treguesve të produktivitetit kërkimor,
ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, matshmëri të cilësisë,
dukshmëri të institucioneve të arsimit të lartë dhe të stafit akademik, lehtësira për studentët
dhe mundësi për përvetësimin e njohurive më të avancuara përmes programeve studimore më
cilësore dhe më shumë trajnim praktik, si dhe modularitet në mësimdhënie. Është paraparë
intensifikimi i pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në hartimin e programeve studimore
dhe vlerësimin e tyre, me qëllim përshtatjen ndaj ndryshimeve në tregun e punës dhe në
shoqëri.
Janevska theksoi gjithashtu se procesi i hartimit të zgjidhjeve ligjore ishte vështirësuar për
shkak të lajmeve të rreme dhe dezinformatave të përhapura nga qendra të ndryshme me
ndikim mbi opinionin publik, ndërsa si shembuj përmendi pretendimet për cenimin e
autonomisë së universiteteve, ndërprerjen e studimeve me korrespodencë dhe heqjen e fondit
për mbulimin e shpenzimeve për publikimin e punimeve shkencore në revista ndërkombëtare
shkencore.
„Theksoj se rezistenca e pabazë ndaj ndryshimeve pozitive, veçanërisht ajo politike dhe
vetëm për shkak të rivalitetit, nuk duhet të jetë më kërcënim apo pengesë për zhvillimin e
arsimit të lartë dhe për stimulimin e shkencës. Uniteti është i domosdoshëm, sepse ky qëllim-
përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – është në fakt edhe detyrim i vendit në Agjendën e
Reformave dhe përgjegjësia është e përbashkët”, potencoi Janevska, duke shtuar se shteti do
të sigurojë të gjitha burimet dhe mekanizmat e domosdoshëm për zbatimin dinjitoz të
rregullores së re ligjore, gjë që do të parandalojë rënien e mëtejshme të cilësisë së arsimit të
lartë dhe do të mundësojë përparim në afat të mesëm.





