Policia e Dellçevës, në bashkëpunim me inspektorët e pylltarisë dhe Policinë Pyjore, ka sekuestruar 19 m³ dru të prerë ilegalisht gjatë kontrolleve të realizuara më 14 dhe 15 prill në Dellçevë dhe fshatin Bigla, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për 5.19 m³ dru pishe dhe 13.86 m³ dru dushku.
“Zyrtarë policorë nga DPB-Dellçevë, pas informacioneve operative të marra më parë, në bashkëpunim me inspektorë të pylltarisë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe me Policinë Pyjore, më 14 dhe 15.04.2026, në disa lokacione në Dellçevë dhe fshatin Bigla, sekuestruan 19 metra kub dru të prerë ilegalisht. Prej tyre, 5.19 m³ ishin dru pishe dhe 13.86 m³ dru dushku. Drutë janë konfiskuar nga Policia Pyjore në Dellçevë dhe, pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ngrihen kallëzime përkatëse sipas nenit 69 të Ligjit për Pyjet kundër një personi juridik – në fshatin Bigla, në pronësi të V.S. (69) nga fshati Leski, si dhe kundër G.G. (65) dhe M.G. (69), të dy nga fshati Bigla”, thonë nga MPB.