Selimi: “Amnistimi” i Siljanovskës nga profesorë shqiptarë, sjellje tipike inferioriteti dhe përkulje
Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, lidhur me çështjen e gjuhës shqipe, duke theksuar se deklaratat e saj të fundit janë në vazhdën e një qëndrimi të kahershëm dhe të pandryshuar kundër barazisë së gjuhës shqipe me maqedonishten.
Sipas Selimit, presidentja i ka bërë të qarta këto bindje shumë kohë para se të merrte postin e kreut të shtetit, qoftë në rolin e saj si profesoreshë universitare, qoftë si deputete, duke dëshmuar vazhdimisht angazhim të hapur për shfuqizimin e statusit të barabartë të gjuhës shqipe në shtet.
“Prandaj, qëndrimi i saj i fundit nuk më befason aspak”, vlerëson Selimi, duke shtuar se ajo që e shqetëson më shumë është reagimi i një pjese të profesorëve shqiptarë, të cilët – sipas tij, po zgjedhin të ruajnë kolegjialitetin me presidenten, në vend që të mbrojnë të drejtën kushtetuese dhe ligjore të studentëve të tyre.
Ai kritikon ashpër këtë qasje, duke e cilësuar si shenjë inferioriteti dhe nënshtrimi për interesa personale apo favore të mundshme në të ardhmen. “Sjellje tipike inferioriteti dhe përkulje për favore aktuale e premtime për favore të ardhshme. Sa keq për studentët!”, shprehet Selimi.
Në reagimin e tij, analisti thekson se debati nuk ka të bëjë me mungesë baze kushtetuese apo ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe, as me vetë provimin e jurisprudencës, por me një doktrinë politike që, sipas tij, po udhëheq aktualisht vendin.
“Problemi nuk është Kushtetuta, ligji apo provimi. Problemi është doktrina politike e kësaj nomenklature qeverisëse: ‘Maqedonia e maqedonasve’”, përfundon Selimi, duke e vendosur çështjen në kontekst më të gjerë të debatit për barazinë etnike dhe gjuhësore në vend. (koha.mk)