Promovohet departamenti Territorial i Zjarrfikësve në Tearcë, Kasami: Premtim i përmbushur për sigurinë e qytetarëve
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me kryetarin e Komunës së Tearcës, Daut Memishi, dhe komandantin e NJKTZ-së, Avni Ameti, kanë promovuar sot Departamentin e ri Territorial të Zjarrfikësve në Tearcë.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së pronës për banorët e kësaj zone. Sipas Kasamit, ky investim u mundëson qytetarëve shërbime më të shpejta dhe ndërhyrje më efikase në raste emergjente.
”Ky nuk është vetëm një investim i thjeshtë, por mbi të gjitha një investim në sigurinë e qytetarëve tanë. Nga sot, banorët e Tearcës do të kenë shërbime më të afërta dhe më efikase, duke lejuar që ndërhyrjet të jenë më të shpejta dhe më të koordinuara,” deklaroi Kasami.
Realizimi i këtij departamenti cilësohet si përmbushje e një premtimi të dhënë më parë. Gjatë ceremonisë, u theksua se bashkëpunimi dhe vullneti institucional kanë qenë kyç në shndërrimin e premtimeve në veprime konkrete që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e banorëve të Tearcës.
Kasami përfundoi duke falënderuar të gjithë akterët e përfshirë për përkushtimin dhe kontributin e tyre në finalizimin e këtij projekti jetik për sigurinë publike.