Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës u organizua një punëtori me maturantët e shkollave të mesme me temë: “Gjuha shqipe dhe letërsia në sfidat e sotme”.
Fillimisht dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, theksoi se aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për afrimin e maturantëve me jetën universitare dhe për orientimin e tyre drejt studimeve filologjike. Ajo deklaroi se, përmes këtyre aktiviteteve, dëshirojmë të nxisim dashurinë për gjuhën dhe letërsinë shqipe, si dhe të inkurajojmë të rinjtë që të zgjedhin studimet filologjike si një rrugë të rëndësishme për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Gjatë këtij aktiviteti, maturantët patën mundësinë të ndiqnin ligjërata nga studiuese dhe profesoresha të fushës së gjuhësisë dhe letërsisë, të cilat trajtuan tema aktuale që lidhen me zhvillimin dhe sfidat e gjuhës dhe kulturës shqiptare në kohën bashkëkohore.
Në kuadër të kësaj punëtorie, Doc. Dr. Bora Logu mbajti ligjëratën me titull “Mësimdhënia shqipe në ditët e sotme”, ku u trajtuan qasjet bashkëkohore të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe sfidat që paraqiten në procesin arsimor.
Prof. Dr. Klodeta Dibra ligjëroi për temën “Shqipja përballë gjuhëve të huaja”, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në një realitet gjithnjë e më të globalizuar dhe në ndërveprim të vazhdueshëm me gjuhët e tjera.
Po ashtu, Prof. Ass. Dr. Ermira Ymeraj prezantoi ligjëratën me titull “Letërsia dhe lexuesi i sotëm”, ku u diskutua për raportin ndërmjet letërsisë dhe lexuesit bashkëkohor, si dhe për rëndësinë e kultivimit të kulturës së leximit te të rinjtë. Kjo punëtori u realizua në kuadër të aktiviteteve promovuese të Universitetit të Tetovës për maturantët.


