Protesta e studentëve në RMV/ Hoxha: Gjuha shqipe e drejtë kushtetuese dhe e padiskutueshme. Çështja mos politizohet
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha sot në një konferencë për mediat theksoi se duhet të ketë një zgjidhje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë dhënien e provimit juridik në gjuhën e tyre shqipe, pasi sipas tij gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe e padiskutueshme.
“Forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe mbështetja e pakufizuar për Kosovën mbetet në vijë të parë. Në çdo kohë dhe në çdo rast, Shqipëria ruan marrëdhëniet e mira me shqiptarët kudo që ndodhen. Sa u takon protestave të studentëve në Shkup, të cilët po kërkojnë një të drejtë. Ata po ngrenë një pyetje të drejtë. I kemi ndjekur me vëmendje. Përdorimi i gjuhës shqipe në RMV është një e drejtë kushtetuese dhe kjo e drejtë nuk duhet të vihet në diskutim. Është thelbësore që kjo të adresohet në rrugë institucionale, edhe pese RMV nuk është duke negociuar në mënyrë aktive si Shqipëria. Për ne është shumë e rëndësishme që kjo çështje të mos politizohet, por të trajtohen me përgjegjshmëri. Ajo që na intereson janë zgjidhjet. Shqipëria mbetet një aktor i përkushtuar për marrëdhëniet dhe stabilitetin në rajon”, theksoi ministri Hoxha.(INA)