Gjatë fushatës zgjedhore, qytetarëve iu servua një skenar i njohur politik: kandidatë të paraqitur si “të pavarur”, por në realitet kokë e këmbë të varurit e VMRO-DPMNE-së.
Sot, maskat kanë rënë dhe realiteti po bëhet i dukshëm për të gjithë
Nën drejtimin e komunës nga Mendi Qyra, investimet komunale nuk po shpërndahen mbi bazën e nevojave reale të qytetarëve, por sipas kalkulimeve politike dhe interesave të ngushta. Ndërsa vendbanimet maqedonase po përfitojnë projekte konkrete dhe mbështetje institucionale, shumë vendbanime shqiptare vazhdojnë të mbeten në harresë: pa investime, pa zhvillim dhe pa vizion për të ardhmen.
Vizita e sotshme e kryeministrit Hristijan Mickoski në Vranishtë është shembulli më i qartë i këtij standardi të dyfishtë: promovime projektesh dhe angazhime konkrete në njërën anë, ndërsa në anën tjetër heshtje dhe mungesë totale vëmendjeje për vendbanimet shqiptare të Strugës.
Kjo nuk është më çështje perceptimi, por është realitet që qytetarët e shohin çdo ditë.
Prandaj lindin pyetje të drejtpërdrejta:
A po përdoret pushteti lokal për të shpërblyer mbështetje politike?
A po ndahen investimet sipas përkatësisë etnike dhe jo sipas nevojave të qytetarëve?
Struga nuk mund të qeveriset me përjashtim dhe selektivitet. Shqiptarët e kësaj treve nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk mund të kujtohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë, diskriminimit të heshtur dhe anashkalimit!
Çdo taksë e paguar nga qytetarët shqiptarë duhet të kthehet në investime, zhvillim dhe dinjitet!
P.s injorim i gjuhës shqipe dhe shkelje e ligjit për gjuhët nga Ministria e Transportit dhe nga Komuna e Strugës!
