Uashingtoni dërgon mesazh: Bozhinovska nënshkroi Memorandum me SHBA-në – energjia bëhet çelës i partneritetit strategjik dhe e pozicionon Maqedoninë në një nivel të ri





Në kuadër të vizitës zyrtare të një delegacioni të nivelit të lartë qeveritar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale Sanja Bozhinovska nënshkroi një Memorandum mirëkuptimi me SHBA -në për avancimin e sigurisë së furnizimit me gaz natyror.
Nënshkrimi u realizua në Uashington, si pjesë e dialogut strategjik me SHBA-në, një platformë kyçe për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. Dialogu përfshin fushat më të rëndësishme për zhvillim – energjetikën, ekonominë, sigurinë dhe teknologjinë.
Bozhinovska e nënshkroi memorandumin me zëvendëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Kristofor Landau. Qëndrimi i përbashkët është se ekziston një potencial i qartë për intensifikimin e bashkëpunimit, me fokus në projekte që do të sjellin rezultate konkrete dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të të dy vendeve.
Memorandumi konfirmon përkushtimin e përbashkët për: diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz natyror, rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik, sigurimin e gazit të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përballueshëm për shtetin, si dhe forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe integrimin e tregjeve.
Dokumenti parasheh gjithashtu hapa konkretë për zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e transparencës në tregjet e gazit, duke hapur kështu mundësinë e përdorimit të instrumenteve financiare publike dhe private, duke përfshirë mbështetjen nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e kredisë së eksportit. Fokusi i bisedimeve është i qartë – siguria energjetike, bashkëpunimi ekonomik dhe projektet konkrete që sjellin stabilitet, investime dhe zhvillim.
Me këtë marrëveshje, Maqedonia e Veriut forcon pozicionin e saj në rrjedhat rajonale të energjisë, me një orientim të qartë drejt lidhjes me tregjet evropiane, e cila kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë.
Në kuadër të dialogut strategjik, ministrja Bozhinovska mori pjesë në disa sesione tematike dhe zhvilloi takime bilaterale me përfaqësues të lartë të administratës amerikane.
Një ditë më parë, Bozhinovska realizoi një takim bilateral në Shtëpinë e bardhë me Jarrod Agen, Zëvendëskëshilltar i presidentit Donald Trump dhe drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar për dominim energjetik të SHBA-së. Në takim u shkëmbyen qëndrime për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin energjetik, ndërsa përvoja dhe njohja e Agen mbi rrjedhat globale të energjisë përbëjnë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e partneriteteve dhe projekteve të ardhshme.
Ministrja Bozhinovska theksoi gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të zbatuar iniciativa konkrete, duke theksuar se partneriteti me SHBA-në është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të sektorit të energjisë.
Ky hap përfaqëson një afirmim të fortë të partneritetit strategjik me SHBA-në dhe një sinjal të qartë se vendi po pozicionohet si një aktor kredibil dhe aktiv në arkitekturën rajonale të energjisë.

Uashingtoni dërgon mesazh: Bozhinovska nënshkroi Memorandum me SHBA-në – energjia bëhet çelës i partneritetit strategjik dhe e pozicionon Maqedoninë në një nivel të ri

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo