Deputeti i VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë, duke e vlerësuar mobilizimin e tyre si shenjë shprese dhe ndryshimi.
Në një postim publik, Azizi thekson se zëri i studentëve ka munguar për një kohë të gjatë, duke i cilësuar ata si “zëri i të vërtetës, i shpresës dhe i ndryshimit”. Sipas tij, protesta e sotme lidhet me një të drejtë të mohuar ndër vite, për të cilën fajëson BDI-në, ndërsa shton se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti nga VLEN. Ai nënvizon se, pavarësisht zotimeve për zgjidhje, protesta e studentëve nuk përbën pengesë, por përkundrazi është një forcë shtesë. “Sa herë i shoh të organizuar, më bëhet zemra mal”, shkruan Azizi, duke e krahasuar angazhimin e tyre me periudha kur studentët kanë luajtur rol kyç në procese të rëndësishme për dijen dhe dinjitetin.
Azizi kritikoi edhe përpjekjet për përfitim politik nga protesta, duke akuzuar se ata që për vite nuk e zgjidhën problemin, sot tentojnë të dalin në krye të saj. Sipas tij, vetë studentët kanë treguar se “nuk ka vend për hipokrizi”.
Ai rithekson mbështetjen e tij dhe të VLEN për studentët, duke theksuar se kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë në krah të tyre.